Përfaqësues të ushtrisë së Sudanit dhe të grupit rebel ushtarak ‘Forca e Mbështetjes së Shpejtë’ raportohej sot se janë rikthyer në tryezën e negocjatave për paqen në Xhedah të Arabisë Saudite.
Lufta e papritur e nisur në prill raportohet se ka lënë më shumë se 9000 të vrarë dhe mbi 5 milionë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Konflikti vrasës mes komandantit të ushtrisë Abdel Fattah al-Burhan dhe ish-zëvendësit të tij Mohamed Hamdan Dagalo, i cili komandon tashmë grupin ushtarak rebel, ka shkatërruar vendin e varfër.
SHBA dhe Arabia Saudite kanë ofruar ndërmjetësim për negocjata por pa dhënë asnjë efekt, përveçse pauza të shkurtra luftimi që shkeleshin sistematikisht.
Më 25 tetor u njoftua nga të dy palët se kanë pranuar ftesën e rinisjes së negocjatave.
Ata thanë se bisedimet do të kryhen “në partneritet me” përfaqësues të Unionit Afrikan, si dhe nga një grup ndërshtetëror i Afrikës Lindore i drejtuar nga partneri i SHBA, Kenia, njoftonte Riadi.
Mbretëria e Arabisë Saudite tha se mirëpriste rinisjen e negocjatave dhe u bënte thirrje pjesëmarrësve të respektonin marrëveshjen e mëhershme për mbrojtjen e civilëve.
“Mbretëria konfirmon entuziazmin për unitetin e radhëve … për ndalimin e gjakderdhjes dhe vuajtjeve të popullit sudanez,” thuhej në deklaratë.