Nëse Arben Taravari mbetet në qëndrimin se nuk është i interesuar të jetë kandidat për president të vendit, atëherë atë garë, për koalicionin e partive opozitare të shqiptarëve, do ta drejtojë Bilal Kasami.
Këtë e tregon personalisht në një intervistë për “360 gradë” në MRT 1, kreu i Lëvizjes Besa, Kasami.
Mirëpo, Kasami pohon se biseda me Taravarin për këtë temë nuk ka përfunduar.
“Taravari tha se nuk është i interesuar, por nuk po diskutojmë për interesa personale, pretendime personale, por po diskutojmë interesin e shqiptarëve për të sjellë ndryshim”. Nëse së bashku vlerësojmë që Taravari do të jetë kandidati më i mirë për president, besoj plotësisht se Taravari do të jetë gati për të udhëhequr këtë garë, aq më tepër që në të gjitha bisedat që kemi pasur, të gjitha konsultimet, ai është theksuar si një kandidat serioz për të shkuar në raundin e dytë”, tha Kasami.