11/12/2024

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski ka reaguar në lidhje me ngjarjet në Klinikën e Onkologjisë në Shkup. Perndarovski bën thirrje që sa më shpejtë të ketë përgjegjësi individuale dhe të dënohen personat që sipas tij, kanë keqpërdorur terapinë e pacientëve me kancer, ndërkaq shton se e kupton mllefin e qytetarëve dhe bën thirrje për protesta të qeta.

Reagimi i plotë i presidentit Pendarovski:

Informacionet e qasshme për publikun në lidhje dyshimin për abuzim të terapisë për pacientët me kancer është tronditëse dhe e tmerrshme. Sistemi shëndetësor në vend që t’u ofrojë mbështetje dhe mbrojtje të plotë atyre personave që përballen me diagnozën më të vështirë, dukshëm ka dështuar, gjë që ka humbur besimin jo vetëm te të sëmurët, por është vënë në pikëpyetje cilësia e trajtimit të çdo pacienti të ardhshëm.
Për të zbardhur plotësisht këtë aferë të madhe, mirëpres veprimet e deritanishme të Prokurorisë Publike dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Njëkohësisht, bëj thirrje për përfundimin e shpejtë dhe efikas të hetimeve dhe procedimeve gjyqësore-prokuroriale, pa selektivitet, dënim të duhur për të gjithë ata që do të vërtetohen se kanë kryer vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve.
Është koha që sistemi të konfirmojë se jemi të aftë në praktikë dhe jo vetëm me fjalë, të përballemi me format e rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe t’i japim fund kulturës së mosndëshkimit të shkeljeve të rënda të ligjit.
Ne nuk do të jemi kurrë një shoqëri e vërtetë evropiane me procese gjyqësore të zgjatura dhe mungesë të përgjegjësisë personale. Për një shoqëri të shëndoshë na duhet një shtet ligjor në praktikë, jo në letër.
E kuptoj plotësisht zemërimin e qytetarëve që bëjnë thirrje për protesta paqësore, duke kërkuar përgjegjësi nga ata që përfituan nga vuajtjet e qytetarëve tanë më të sëmurë.