23/07/2024

Me rastin e 111 vjetorit të çlirimit të Shkupit nga kryengritësit shqiptarë, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, në bashkëpunim me Postën e Maqedonisë së Veriut do të jetësojnë portretin e Hasan Prishtinës në një pullë postare.

Ky vendim përkon dhe me 150 vjetorin e lindjes së veprimtarit, Hasan Prishtina.

Drejtori i ITSHKSH, Skender Asani në një deklaratë për portalin informativ, Indeks.mk thekson se emri dhe vepra e Hasan Prishtinës po institucionalizohet në Maqedoninë e Veriut, para Prishtinës dhe Tiranës, duke e kthyer portretin e kryengritësit Prishtina në pjesë të komunikimin në mes njerëzve dhe institucioneve të vendit.

“Në vigjilje të 111 vjetorit të çlirimit të Shkupit nga kryengritësit shqiptar, Posta e Maqedonisë, me propozim të ITSHKSH, ka emetuar një pullë postare me portretin e Hasan Prishtinës, që përkon me 150 vjetorin e lindjes së tij. Në këtë mënyrë, para Tiranës dhe Prishtinës, po institucionalizohet emri dhe vepra e Hasan Prishtinës në jetën publike të Maqedonisë së Veriut, duke e bërë portretin e tij pjesë të komunikimit në mes të njerëzve dhe institucioneve. Çlirimi i Shkupit do të jetë temë qendrore edhe e tribunës solemne , e organizuar nga ITSHKSH, që do të mbahet më 12 gusht (e shtunë), ku do të shpaloset edhe njëherë lavdia e një historie që si epiqendër kishte kryqytetin e dikurshëm të Dardanisë”, deklaroi Asani.

Kujtojmë se promovimi i pullës postare me portretin e Hasan Prishtinës do të bëhet nesër në hapësirat e sallës në ITSHKSH në ora 11:00, për të vijuar në ora 12:00 me nderime tek shtatorja e Hasan Prishtinës në Shkup dhe për të përfunduar aktivitetin në ora 13:00 me nderime tek shtatorja e Isa Boletinit në Saraj.