01/12/2024

Në kuadër të Kryesimit Spanjoll me Bashkimin Evropian, kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arbër Ademi, merr pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare për Çështje Evropiane të Vendeve Anëtare të BE-së – KOSAK, që mbahet në Madrid, Mbretëria e Spanjës më 17 dhe 18 shtator 2023.

Konferenca u hap me fjalën përshëndetëse nga Kryetari i Senatit, Pedro Roland Oheda, i cili duke iu referuar prioriteteve spanjolle theksoi se Spanja e mori kryesimin në gjysmën e dytë të vitit 2023, në periudhën e sfidave të mëdha për vendet anëtare dhe për Bashkimin Evropian në tërësi.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bashkimit Evropian dhe Bashkëpunimit, Hoze Manuel Albares Bueno dhe nënkryetari i parë i Parlamentit Evropian, Otmar Karas, i prezantuan prioritetet e Kryesimit Spanjoll: riindustrializimi i BE-së, arritja e progresit në tranzicionin ekologjik, drejtësia sociale dhe ekonomike dhe forcimi i unitetit evropian. Në të njëjtën kohë, theksuan se agresioni rus e rrezikon sigurinë e Evropës dhe ka pasoja të rënda në ekonominë evropiane.

Në Konferencë u theksua se këto prioritete nënkuptojnë se Kryesimi Spanjoll do të punojë për të reduktuar varësinë e tepruar të BE-së nga vendet e treta në fusha të tilla si energjia, shëndetësia, teknologjitë digjitale dhe ushqimi, dhe do të promovojë zhvillimin e industrive dhe teknologjive strategjike në Evropë dhe me strategji të përbashkët për të garantuar sigurinë ekonomike të BE-së.

Më tej u theksua se Spanja do të fokusohet në reformën e tregut të energjisë elektrike dhe më shumë burime të rinovueshme. Në këtë drejtim, të zvogëlohet varësia nga energjia dhe lëndët e para, të ulen faturat e energjisë, të rritet konkurrueshmëria dhe të krijohen vende pune. Pra, gjatë mandatit të tij gjashtëmujor, Kryesimi Spanjoll do të përpiqet të forcojë unitetin evropian, me mbështetje të koordinuar për Ukrainën nën parimet e unitetit dhe solidaritetit.

Në lidhje me zgjerimin, deputeti Arbër Ademi pati prezantimin e tij në të cilin theksoi rëndësinë e procesit të bashkimit të vendeve kandidate për anëtarësim në BE, si proces i rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili është i domosdoshëm për stabilitetin në rajon. Më pas, ai theksoi se anëtarësimi në BE është motiv dhe shtytës i fortë i reformave evropiane në të gjitha fushat e rajonit.

Ademi në fjalën e tij theksoi se Spanja e mori kryesimin e Këshillit të Bashkimit Evropian në kohë jashtëzakonisht të rëndësishme për vendet anëtare të BE-së, por edhe për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Duke iu referuar procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, Ademi informoi për hapat e rëndësishëm të ndërmarrë nga Republika e Maqedonisë së Veriut në periudhën e kaluar, me qëllim të vazhdimit të rrugës evropiane. Duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë vazhdimin e rrugës evropiane të vendit dhe që është një nga vendimet në rrugën drejt anëtarësimit të plotë, Ademi theksoi se duhet të jetë çështje mbinacionale dhe mbipolitike që do të mundësojë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët dhe për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm. Më tej, ai theksoi se si vend jemi plotësisht të përkushtuar në zbatimin e prioritetit tonë strategjik, anëtarësimin në BE.

Në sesionin kushtuar së ardhmes së Ukrainës në BE, Ademi theksoi se Ukraina ka mbështetje të parezervë nga Maqedonia e Veriut dhe se kjo mbështetje do të vazhdojë derisa Ukraina t’i tejkalojë sulmet ruse dhe t’i mbrojë vlerat evropiane.

Gjatë konferencës, Ademi zhvilloi një sërë takimesh me kolegët e tij nga parlamentet e vendeve anëtare që janë anëtare të BE-së, si dhe u takua me kolegët nga rajoni.