Qeveria Rama ka ndryshuar projektin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, që është pjesë e korridorit VIII, duke shtuar dhe ndërtimin e një tuneli me gjatësi 3 kilometra.
Ndërtimi i kësaj rrugë ka filluar ndërkohë në dy lote, ndërsa ndryshimi i projektit u njoftua nga ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku.
“Kjo është një pjesë e rëndësishme e korridorit të VIII-të, që nis nga fshati Labinot Fushë dhe vazhdon për 44 kilometra në një rrugë me të gjithë parametrat e autostradës moderne sa i takon kushteve të sigurisë dhe të kategorisë së rrugës dhe vazhdon deri në afërsi të Qafë Thanës. Siç edhe jeni në dijeni, pas një bisede intensive me qeverinë e Maqedonisë së Veriut kemi vendosur të ndryshojmë pikën e daljes duke qenë se dhe nga krahu i Maqedonisë së Veriut ka nisur prej kohësh ndërtimi i korridorit të VIII kështu që duke punuar me të dy autoritetet rrugorë dhe me ministritë kemi arritur rezultatin që do ishte më mirë të kishim një pikë dalje më të afërt në territorin shqiptar e cila do të zgjidhet përmes një tuneli 3 kilometra. Bëhet fjalë afër urës së Bushtricës dhe ndërkohë që pika e Qafë Thanës do të vazhdojë të aktive dhe të shërbejë ata qytetarët që duan të shërbehen atje”, tha Balluku.