Në një shkrim, paksa shokues, një portal maqedonisht, sjell një poezi të një nxënësi, ku ai shpreh gjithë brengën për “humbjen e identiteti dhe gjuhës” nga marrëveshja me Bullgarinë. Nxënësi sigurisht ka rënë pre e propagandës së VMRO-së, këtë e thotë edhe portali, këtë e mendojmë edhe ne, përderisa në vargjet e tij të sinqerta, janë shkrirë pikërisht tezat e kësaj partie. “Bombardimi” medial, sigurisht ka lënë gjurmë në vetëdijen e tij.
Ajo më shokuesja në këtë shembull, nuk është ndikimi te ky nxënës sa i përket vetë relacioneve me Bullgarinë, por elementet raciste që dalin nga kjo poezi. Sepse, nga emri i shtetit “Severna Makedonija”, nxënësi ka nxjerrë atributin e ri për përkatësi etnike: Severxhan!
Северџан ме прават да бидам,
Сите политичари наши,
Но јас сум Македонец!
Викам гласно и тоа не ме плаши.
(Gjithë politikanët tanë,
më bëjnë te jem Severxhan,
“Por unë maqedonas jam!”
Bërtas pa frikë me sa zë kam.)
Publiku e di mirë se në të folmen “e lire”, emri Severxhan shpesh është sinonim për përkatësinë rome dhe nga këto vargje, porosia e fëmijës ka sublimuar pikërisht atë lloj paragjykimi apo klisheu, që fjalori i komunikimit publik, “i ndihmuar”edhe nga paraqitjet e partive politike që shpesh dinë të luajnë gjëegjëza me fjalë, që të shkojë deri te fyerja në baza etnike. Sepse, ky autori i mitur, shumë qartë thotë se dikush atë dëshiron ta bëjë rom, por ai nuk do të bëhet rom(mbase nuk është gjë me dinjitet të jesh rom, sepse kështu është krijuar paragjykimi?!),pasi ai është maqedonas krenar!
Portali që e ka nxjerrë këtë poezi, krejt ndikimin ia adreson VMRO-DPMNE-së, ndonëse nuk mund të jetë e vetmuar në këtë, sepse ka dhe subjekte, media e individë që i mbajnë “iso” këtij fjalori, e të mos flasim për përhapjen në zhargonin e njerëzve të rëndomtë apo media sociale. Ndaj, duhet shumë kujdes se si është ai komunikim publik, sidomos subjektet që kanë përgjegjësi shoqërore të jenë të matura dhe korrekte ndaj kategorive që mund të jenë të goditura nga ky lloj fjalori, të mos mbillet në vetëdijen e gjeneratave të reja si koncepte sociale.
(Teksti i portalit në linkun vijues: https://maktel.mk/slider/shokantno-nekoe-dete-poveruvalo-vo-vmrovskata-propaganda-deka-sme-go-izgubile-jazikot-i-sme-stanale-severdhani/ )