7.8 C
Skopje

Pula: Vizitat e shpeshta të zyrtarëve amerikanë bëjnë me dije se nuk mund të shmanget dialogu

Pas vizitës së tre senatorëve amerikanë javën e kaluar në Kosovë, edhe dy zyrtarë të lartë amerikanë vijnë për vizitë në Prishtinë. Ndihmës Sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike, Gabriel Escobar do të takohen me krerët e shtetit, raporton Ekonomia Online.

Njohësi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Shqiprim Pula, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se kjo vizitë, dhe vizitat e fundit të senatorëve dhe zyrtarëve të tjerë amerikanë, tregojnë interesimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën. Por, sipas tij, janë dhe njëfarë presioni mbi Prishtinën dhe Beogradin.

Sipas Pulës, me ardhjen e qeverisë së re të Kosovës sikur ka një prolongim të qëllimshëm të dialogut, andaj ardhjet e shpeshta dhe porositë bënë me dije se udhëheqësve institucionalë se nuk mund të shmangin dialogun. Ai thekson se të gjitha shtetet aleate të Kosovës duan ta kornizojnë afatin kohor të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Vizitat e javës së kaluar nga ana e senatorëve amerikanë dhe vizita e sotme e Gabriel Eskobar, përfaqësuesit të shtetit amerikan për Ballkanin Perëndimor në veçanti për çështjen e statusit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ngërthen në vete porosi, por edhe presion do të thoja, për faktin se tani më zgjedhjet në Serbi kanë përfunduar”.

“Të gjitha shtetet aleate të cilat duan të ndihmojnë Ballkanin Perëndimor sikur duan ta kornizojnë afatin kohor të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve tona Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Pula.

“Tani se çfarë porosi do të japë Gabriel Eskobar dhe çfarë porosish kanë dhënë të tjerët gjatë javës që lamë pas, është e rëndësishme ato porosi të jenë të unifikuara për shtetin e Kosovës, që përfaqësuesit institucionalë shtetërorë t’i vlerësojnë ato dhe të shohin se çfarë saktësisht mund të jetë e pranuar për jetësim të tyre nga ana e shtetit të Kosovës”.

“Ka një përshtypje sikur me ardhjen e kësaj qeverie të re ka një prolongim të qëllimshëm, prandaj për ta evituar përshtypjen e tillë ardhjen e shpeshta dhe porositë që po lëshohen karshi udhëheqësve institucionalë të Kosovës është për të bërë me dije se nuk mund të shmanget dialogu, por të bëhemi pjesë e saj dhe të përafrohet arritja e një zgjidhjeje”, tha Pula.