11/12/2024

Tucker Carlson dhe Vladimir Putin kanë qenë në qendër të vëmendjes të enjten mbrëma, teksa gazetari intervistoi autokratin rus.

Intervista 2-orëshe e xhiruar në Moskë, ishte e para e Putinit me një media perëndimore që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022.

Kjo shënoi një nivel të ri të asaj që shumica e kanë cilësuar si turpërim për Carlsonin, i cili ka kritikuar shpesh mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, i është referuar Volodymyr Zelensky, presidentit të Ukrainës, si një “tutor ukrainas” dhe “mi”.

Toni i Carlsonit ishte më pak i ashpër në intervistën me Putinin, të cilin ai e quajti “Zotëri President” gjatë gjithë kohës, raportoi The Guardian.

Vendimi për të intervistuar Putinin ishte kritikuar gjerësisht përpara intervistës. Por hapja e bisedës mes ish-prezantuesit të Fox News dhe Putinit ishte një zhgënjim.

Putin shpenzoi më shumë se 30 minuta duke dhënë një histori të Rusisë, Lituanisë, Polonisë dhe Ukrainës, në një monolog që i çoi shikuesit nga shekulli i nëntë, në betejat e viteve 1300, deri në një kritikë të politikës së jashtme të Leninit.

Kishte bisedime paqeje me Ukrainën që ishin “pothuajse finalizuar”, ka thënë Putini, por më pas Ukraina “i hodhi poshtë të gjitha këto marrëveshje dhe iu bind udhëzimeve të vendeve perëndimore, vendeve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara për të luftuar Rusinë deri në fund”.

Putini e fajësoi Boris Johnsonin, ish-kryeministri britanik, në veçanti. Ai u largua nga detyra në qershor 2023, por Putini pretendoi se si kryeministër ai e kishte bindur Zelenskyn të mos nënshkruante marrëveshjen e paqes në fazat e para të konfliktit.

Në një video të publikuar para intervistës, Carlsoni ka theksuar se ai u shty që të fliste me Putinin sepse publiku amerikan “nuk ka ide pse Putini e pushtoi Ukrainën ose cilat janë synimet e tij tani”.

Është e paqartë nëse shikuesit do të jenë më të qartë për ndonjërën prej tyre.

Në dhjetor, Kremlini pati thënë se pjesëmarrja në bisedimet e paqes me Ukrainën është “e parealizueshme”.

Por, në intervistë, Putini i tha Carlsonit se Rusia dhe SHBA-ja ende flasin “përmes agjencive të ndryshme” për përfundimin e konfliktit.

Putini dha mesazhin për SHBA-në. “Nëse vërtet doni ta ndalojmë luftën, duhet të ndaloni furnizimin me armë. Do të përfundojë brenda disa javësh”.

Putini ka deklaruar se hera e fundit kur foli me Joe Bidenin ishte para pushtimit të Ukrainës.

Carlson megjithatë e pyeti Putinin për Evan Gershkovich, gazetari i dënuar në Rusi për spiunazh.

Putini pretendoi se Gershovich u kap duke dhënë informacione konfidenciale dhe pretendoi se punonte për shërbimin sekret amerikan.

Rusia “është e gatshme të bisedojë” për lirimin e Gershkovichit, ka thënë Putini, duke shtuar: “Duam që shërbimet speciale të SHBA-së të mendojnë se si mund të kontribuojnë për të arritur synimet që shërbimet tona speciale po synojnë”.

Carlson ishte që nga fillimi një mbrojtës i pushtimit rus të Ukrainës. Ai doli kundër furnizimit të Ukrainës nga SHBA-ja. Që nga paralajmërimi për intervistën me Putinin ka marrë kritika të mëdha.