Nga rezultatet e analizave të bëra nga ekspertë të Ministrisë së Ekonomisë si dhe nga ekspertë të jashtëm , të cilat kanë treguar se ka rritje çmimesh dhe fitimesh në pakicë, kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski theksoi se do të merren masa rigoroze nga ana e Qeverisë dhe nuk do të ketë falje. Pensionistët, përfitues të asistencës sociale të garantuar, të rinjtë, studentët dhe gjimnazistët, do të jenë në listën që do të marrin ndihmë për masat e reja kundër krizës të shpallura nga qeveria.
“Ajo që kemi parë nga analizat statistikore të ekspertëve të Ministrisë së Ekonomisë, por edhe nga ekspertë të jashtëm, është rritje e çmimeve dhe e fitimeve në shitjet me pakicë. Sipas atyre analizave, Qeveria do të propozojë masa rigoroze dhe nuk do të ketë falje. Unë e di që do të ketë ankesa nga të prekurit, por nuk do të lejojmë që në kohë krize dikush të rrisë fitimet në masë absolute në kurriz të qytetarëve, të cilët duhet të sigurojnë bukën e gojës”. tha Kovaçevski.
Sa i përket rritjes së çmimeve, edhe sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqii, është shprehur se ka praktika të padrejta apo joetike, ku tregtarët rregullojnë artificialisht çmimet në nivel të lartë për të përfituar dhe ka treguar se po tentohet për të vërtetuar se ka marrëveshje të fshehta për çmimet në disa sektorë.
“Dje shkova në Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe fola me ta për nisjen e nismave në disa sektorë për të parë nëse mund të vërtetojmë se ka marrëveshje të fshehtë për atë që po ndodh me çmimet. Diçka po ndodh, vendi ynë nuk mund të jetë një ishull unik dhe i izoluar kur është pjesë përbërëse e të gjithë Evropës. Sipas të dhënave të FAO-s, çmimet e bursave në Bashkimin Evropian janë një çerek më të ulëta se sa këtu. Nëse ushqimet në bursë në BE janë rritur me 11 për qind, këtu janë rritur me 46 për qind. Nuk është etike”, thekson Bitici.
Gjithashtu kryeministri i vendit sot njoftoi se për rritjen e çmimeve dhe reagimin e qytetarëve se nuk ia dalin dot gjatë muajit, do të merren masa të reja kundër krizës, të cilat do të vlejnë për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve