-1.2 C
Skopje

Referendumi i Mickoskit, manipulim politik në sy të maqedonasve!

Referendumin të cilin e ka njoftuar opozita më shumë i ngjanë një testi për zgjedhje të parakohshme parlamentare, se sa një nisme serioze për të ndryshuar rrugën e integrimit të Maqedonisë së Veriut për në Bashkimin Europian, kështu vlerësohet nga opinioni në vend por edhe nga analistë dhe njohës të rrethanave politike.

Sipas atyre që diskutojnë dhe komentojnë njohjen e punëve ligjore, thuhet se që të dal i suksesshëm një Referendum, minimum duhet të dalin e të votojnë 910 mijë persona, e prej tyre shumica të jenë “për”, por që ky numër nuk është aspak lehtë i arritshëm pasiqë një pjesë e madhe e qytetarëve nuk janë në vend për momentin dhe punojnë jashtë ose qëndrojnë përkohësisht jashtë.

Vetëm nëse krahasohet dalja në zgjedhjet lokale të vitit 2021 (rrethi i parë), gjithsej kanë dalë të votojnë 938 mijë qytetarë, e që i bie 51% e numrit të përgjithshëm të votuese, gjë që shumë lehtë mund të konstatohet se ky numër nuk mund të arrihet lehtë për të pasur sukses Referendumi i kërkuar nga VMRO-DPMNE.

Ngjajshëm një situatë ka qenë në Referendumin për ndryshimin e emrit që ishte organizuar nga partitë në pushtet, e që kishte të bëjë me Marrëveshjen e Ohrit, në referendum kishin dalë rreth 655 mijë qytetarë ose 36.84% e votuesve.

Këtë referendum atëherë e kishte bojkotuar pikërisht VMRO-DPMNE, e që nënkupton se përkundër bojkotit, kishte afër 655 mijë qytetarë që dolën të votojnë ‘për’.

Në një logjikë më të thjeshtë, kjo i bie që VMRO DPMNE nuk do të ketë këta qytetarë, me përjashtime të vogla, sepse këta qytetarë dolën dhe treguan se janë për integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe në NATO, edhe pse u ndryshua emri i shtetit, kjo gjë nuk i pengoi qytetarët të shprehin vullnetin e tyre. Nëse Referendumi i paralajmëruar nga opozita, bojkotohet nga LSDM-ja dhe partitë në koalicion, kjo nënkupton se nuk ka asnjë shans që mbi 910 mijë persona të dalin e të votojnë. Në këtë formë referendumi del i dështuar bashkë si iniciativë e VMRO-DPMNE-së për të bllokuar procesin e integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian dhe rikthimin e diskursit politik të vendit kah lindja.