4.8 C
Skopje

RMV-Bullgari/ Ekziston dialog por duhet zgjidhje e pranueshme për të dyja palët

Ministri i Punëve Jashtme, Bujar Osmani vlerëson se bisedimet me ministren e jashtme bullgare Teodora Gençovska kanë qenë konstruktive dhe kanë krijuar parakushte për gjetjen e një zgjidhjeje që do të jetë e pranueshme për të dyja palët. Edhe ministrja Gençovska është e mendimit se ekziston një dialog normal.

Sipas ministrit Osmani, çdo zgjidhje duhet të jetë dinjitoze dhe e pranueshme për të dyja palët, nuk duhet të lërë njërën palë të kënaqur e tjetrën jo, ose të dyja palët do të jenë njësoj të kënaqura ose njëlloj të pakënaqura, por megjithatë mendon se ka pasur një atmosferë mjaft konstruktive.

Mendoj se pala jonë arriti t’i arsyetojë argumentet tona, por i dëgjojmë me kujdes edhe argumentet e tyre. Ka bazë të mirë në bisedimet e mëtutjeshme këto ide të formohen në zgjidhje konkrete të cilat më pas do të tentojmë t’i vendosim në pako i cili do të thotë platformë për tejkalimin e dallimeve. Të dyja palët janë inkurajuar të vazhdojnë, por kemi akoma punë, ndërkaq koha është e shkurtë. Edhe koha edhe cilësia e zgjidhjeve janë të rëndësishme, cilësia nuk guxon të jetë viktimë e kohës, duhet të garantojë qëndrueshmëri të marrëdhënieve për çka jemi seriozisht të interesuar dhe do të përkushtohemi maksimalisht që atë ta bëjmë, deklaroi dje Osmani.

Ai është decid se zgjidhja që do të arrihet, duhet të jetë dinjitoze dhe e pranueshme për të dyja palët dhe nuk guxon të bëjë njërën palë të kënaqur, ndërsa tjetrën jo.

Sipas tij, në bisedimet me Gençovskën, ka pasur atmosferë mjaft konstruktive për t’u bërë tentim për neutralizim të paragjykimeve dhe stereotipeve dhe për mirëkuptim të ndërsjelltë të pozicioneve.

Incidenti që ndodhi në Manastir, nënvizoi osmani, nuk ndikoi në zhvendosjen e dinamikës dhe të atmosferës së bisedimeve me Gençovskën

“Këto bisedime krijuan parakushte për intensifikim në ditët në vijim, me qëllim, shpresoj, të gjendet zgjidhje. Pati progres të mirë në prezantimin dhe mirëkuptimin e pozicioneve të të dy palëve. Shpresoj se në ditët në vijim do të vazhdojë ky komunikim në format të ndryshëm, në mënyrë që ato mendime të formohen në propozime konkrete të cilat duhet të jenë bazë për zgjidhje”, tha Osmani.

Sipas ministres së Punëve të Jashtme bullgare, për momentin marrëdhëniet janë konstruktive dhe po zhvillohet një dialog normal pune.

“Të dy ekipet punojnë shumë për shumë orë, ne vazhdojmë të përpiqemi të gjejmë zgjidhje për çështjet e hapura në zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Jemi optimistë për rezultatet – kur dhe si është çështje e gatishmërisë së kolegëve nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut për t’i zbatuar këto marrëveshje”, shtoi Gençovska.

Proaktiviteti në dialogun me Bullgarinë mund të japë rezultate, tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane dhe sekretari për bashkëpunim ndërkombëtar, Bojan Mariçiq, i cili dje ishte pjesë e delegacionit të partisë së LSDM-së, të përbërë nga zëvendëskryetarja Sanja Llukarevska dhe sekretari i përgjithshëm Mile Zeçeviq, të cilët u takuan me ministren Teodora Gençovska.

“Kemi bazë të mirë për debatin për hapjen e çështjeve me Bullgarinë. Dy palët kemi vullnet të mirë për arritje të rezultateve. Ky është shkak i mjaftueshëm që të besojmë se proaktiviteti në dialog mund të japë sukses dhe marrëveshje, i cili në thelb do të thotë se interesat e dy palëve janë të sigurta dhe të mbrojtura”, shkroi pas takimit në Fejsbuk, zëvendëskryeministri Mariçiq.