8.8 C
Skopje

Rritja e pagave të arsimtarëve, një gjest bujar i Qeverisë

Gati dhjetë ditë zgjati greva e arsimtarëve, organizuar nga SASHK-u, dhe ky kapitull u mbyll me një kompromis, siç ndodh zakonisht, as aq sa kërkonte sindikata, 21 për qind, as aq sa ofronte Ministria e Arsimit, por as “në mes”, siç do të pritej.
Me rëndësi është, që nxënësit kthehen në shkolla.
Kur ndodhin këto situata, gjithnjë më i madh është dyshimi për motivet, Nuk ka dilemë se punëtorët e arsimit meritojnë më shumë. Puna e tyre është mision i shenjtë, sepse dhurojnë dije dhe edukatë, ngritin e aftësojnë gjenerata për jetë dhe për të dhënë kontributin e tyre në ndërtimin e gjithmbarshëm të shoqërisë. Kjo nuk ka çmim. Por, e vërteta është se në një shoqëri tranzicioni, gjërat nuk janë të përkryera, prandaj edhe arsimtarët janë pjesë e sistemit, të cilët ndajnë të mirat dhe të këqijat e rrethanave të përgjithshme.
Qeveria, më saktë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, që nga paralajmërimi pati mirëkuptim për grevën, porse vuri në dukje situatën reale, për atë që botërisht dihet, se vendi këto vitet e fundit ka kaluar nëpër krizën më të madhe botërore, atë të pandemisë, e cila është reflektuar me rënie të aktiviteteve ekonomike, deri në shuarje të shumë bizneseve që s’kanë mundur t’i bëjnë ballë dhe kjo ka rrezikuar buxhetin e çdo vendi dhe funksionet vitale të tij. Kur t’ia shtosh edhe krizën e dytë, këtë që është kërcënim i sigurisë botërore, kriza në Ukrainë, që ka refleksione serioze në funksionimin e sistemit energjetik dhe të furnizimit me ushqim, atëherë duhej thënë dhe po e përsërisim, kjo grevë e SASHK-ut ishte në një kohë të pa kohë.
Në fund do të duhej ta përshëndetim marrëveshjen e arritur midis qeverisë dhe SASHK-ut, që u gjet gjuha e përbashkët dhe që procesi edukativo arsimor mund të kthehet në rrjedhat normale në këtë fund të vitit shkollor. Kjo gatishmëri dhe gjest bujar në kohë të vështirë, duhet të kuptohet drejtë si një flijesë e madhe për hir të fëmijëve tanë. Dhe që u evitua politizimi i mëtutjeshëm, pasi shumëkush hallin e një kategorie të caktuar e vë në agjendën e vet.