11/12/2024

Bashkimi Demokratik për Integrim beson se seanca për ndryshimet kushtetuese do të jetë vendimtare për të ardhmen evropiane të vendit tonë.

BDI ka apeluar tek të gjithë deputetët që të mendojnë për rëndësinë e detyrës së tyre historike që vendi të ecë përpara sepse ndryshimet kushtetuese janë një hap vendimtar për vazhdimin e negociatave tona për integrim evropian.

“Manipulimi i qytetarëve nga forca të ndryshme shkatërruese mori fund pasi Bashkimi Demokratik për Integrim, si parti serioze me orientim proamerikan-evropian, vuri në dispozicion të gjitha opsionet e mundshme, vetëm që procesi i integrimit europian të vendit të mos të jetë i bllokuar. Bashkimi Demokratik për Integrim u bën thirrje edhe një herë partive politike dhe vetë deputetëve që të lënë mënjanë interesat personale dhe partiake, të mos tentojnë ta bllokojnë atë, por të kenë prioritet të ardhmen evropiane të qytetarëve”.

“Republika e Maqedonisë së Veriut e ka vendin e saj në familjen e madhe evropiane. Do të shohim kush është për integrim e kush për izolim, kush për Evropë e kush për Rusi, kush për perspektivë e kush për regres”, thuhet në njoftimin partiak të partisë në pushtet.