Është zyrtarizuar sot bashkëpunimi koalicionues për Frontin Europian ndërmjet Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Aleancën për Shqiptarët, në krye me Ziadin Selën, zgjerim ky i cili vjen disa ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes me PDSH-në e Menduh Thaçit, Lëvizjen Populli të Skender Rexhepi Zejdit, PDE-në e Arjanit Hoxhës, me Partinë Demokratike Turke, me Partinë e Unionit të Romëve dhe me përfaqësuesit e Lëvizjes së Turqëve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci
Lideri i ASH-së Ziadin Sela tha se kjo ngjarje historike sot po ndodh për realizimin e të gjitha qëllimeve tona drejt rrugëtimin për në BE, të cilat kanë qenë amanet i të parëve tanë që ranë dëshmor për kombin tonë. Ai theksoi se ky front do të jetë një rrugë dykahëshe e cila do të mundësojë jo vetëm integrimin tonë në BE por edhe kthimin e vllezërve tanë nga Europa për në shtëpitë e tyre.
“Mirëmbrëma Gostivari, të nderuar liderë të partive politike, ju që u bashkuat në Frontit Europian, të nderuar vllezër e motra. Sot ne kemi pas emocion e fitore dhe përgjegjësi, dhe për të arrituar diçka, por më të bukur se emocioni i bashkimit për të bërë bashkë shqiptarët që është amanet i gjyshit, dhe i vuajtjeve të atyre që kanë luftuar, është amanet i rilindasve drejt rrugës së lirisë, dhe amanet i çdo firmëtari të kongresit të alfabetit, të cilët na thanë se shqiptarët do të ecin gjeneratë pas gjenerate drejt BE-së dhe SHBA-ve. Sonte jemi për ta trasuar këtë rrugë për ta bërë më të shpejtë, një rrugë dykahëshe jo vetëm për në Europë por edhe për vllezërit dhe motrat tona në Europë që të kthehen në vendëlindje.
Ne kemi gjetur gjithmonë veten në ndryshimet që është dashur të sillen, e sot po e gjemë rrugën që do ta ndërtojmë bashkë dhe sa më shpejtë.
Nuk jemi kundër askujt, partitë politike dhe organizimet politike nuk bëhen nga inati, por bëhet për dashurinë ndaj kombit, gjuhës dhe gjakut. Bëhet për përgjegjësinë që kemi ndaj gjeneratave të ardhëshme, ndaj nipërve tanë. Ky është Fronti Europian dhe sfida që shqiptarët do të zgjedhin në zgjedhjet që po vijnë tani. Ne kemi ditur të bashkohemi çdo her në rrezik të madh, por sot ne po bëhemi bashk për të ndaluar rreziqet që vijnë nga Lindja dhe t’i bëjmë komunitetet pjesë e lirisë dhe zhvillimit. Këtë ne do e bëjmë me zgjedhjet presidenciale duke e përkrahur zotin Bujar Osmani, dhe do ta bëjmë në zgjedhjet parlamentare duke përkrahur Frontin Europian”, tha Sela /Indeks.mk