22/01/2025

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar të mërkurën se bisedimet për armëpushim dhe lirim të pengjeve në Gaza mund të rezultojnë me një marrëveshje midis Hamasit dhe Izraelit, pasi kriza humanitare në Gaza bëri që Afrika e Jugut t’i kërkojë Gjykatës Botërore masa të reja emergjente.

Negociatorët e Hamasit, Katarit dhe Egjiptit – por jo Izraelit – po përpiqen të sigurojnë armëpushim 40-ditor në kohë për muajin mysliman të Ramazanit, i cili nis në fillim të javës së ardhshme, raportoi Reuters.

Pavarësisht raporteve që negociatat ishin bllokuar, SHBA-ja ka thënë të mërkurën se marrëveshja e armëpushimit është ende e mundur.

“Ne vazhdojmë të besojmë se pengesat nuk janë të pakapërcyeshme dhe një marrëveshje mund të arrihet … kështu që ne do të vazhdojmë të shtyjmë drejt saj”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Mattheë Miller në Washington.

Por Afrika e Jugut, e cila në janar ngriti një çështje në Gjykatën Botërore në Hagë duke akuzuar Izraelin për gjenocid në Gaza, të mërkurën i kërkoi gjykatës të urdhërojë masa të reja urgjente duke përfshirë ndalimin e armiqësive, sepse civilët palestinezë po përballeshin me urinë.

“Kërcënimi i urisë së plotë tani është materializuar. Gjykata duhet të veprojë tani për të ndaluar tragjedinë e afërt”, ka thënë presidenca e Afrikës së Jugut në një deklaratë.

Ministria e Shëndetësisë së Gazës ka thënë se dy palestinezë, të moshës 15 dhe 72 vjeç, vdiqën nga dehidratimi dhe kequshqyerja në spitalet Al Shifa dhe Kamal Adwan të mërkurën, duke e rritur numrin e vdekjeve të tilla në pak më shumë se një javë në 20.

Frika është shtuar gjithashtu se konflikti i Gazës mund të përhapet në Lindjen e Mesme, veçanërisht pas një serie sulmesh ndaj anijeve në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit nga forcat Houthi të lidhura me Iranin që veprojnë në solidaritet me palestinezët.