Qeveria amerikane i ka publikuar emrat e tre trupave të vrarë nga një sulm me dron në Jordani të dielën. William Jerome Rivers, 46-vjeçar, specialisti Kennedy Ladon Sanders, 24-vjeçar dhe specialistja Breonna Alexsondria Moffett, 23-vjeçare, u vranë kur droni goditi njësinë e tyre të banimit.
SHBA-ja ka fajësuar grupet e mbështetura nga Irani, derisa Pentagoni ka thënë se i përfshirë mund të jetë edhe lideri i grupit ekstremist në Irak, Kataib Hezbollah.
Sipas BBC-së, një zyrtar amerikan është shprehur se sulmi u krye me dron të tipit Shaed, që është prodhim iranian. Irani i ka hedhur poshtë akuzat e SHBA-së dhe të Britanisë se ka mbështetur grupe militante.
Pentagoni është shprehur se tre ushtarët e vrarë në Jordani vinin nga një njësi rezervë e ushtrisë me bazë në Fort Moore, në shtetin e Georgias.
“Në emër të rezervistëve, ndaj dhimbjen që ndjejnë miqtë, familjarët dhe njerëzit e tyre të dashur. Shërbimi dhe sakrifica e tyre nuk do të harrohen dhe ne jemi të përkushtuar të mbështesim ata që mbetën pas kësaj tragjedie”, ka thënë gjenerali Jody Daniels, njëherit shef i rezervistëve.
Pentagoni i ka përsëritur thirrjet se nuk duan luftë me Iranin, por që do të ndërmarrin veprime “dhe do t’i përgjigjen sulmeve”.