04/11/2024

Pas pandemisë me virusin korona, një pandemi e cila la një varg pasoja të tjera në shëndetin fizik dhe mendor të qytetarëve, vazhdon të ndikoj edhe sot e kësaj dite. Numri i personave që janë prekur nga përkeqësimi i shëndetit mendor dhe atij fizik po rritet vazhdimisht. Pa e përjashtuar edhe dhunën në familje e cila është rritur dukshëm viteve të fundit.

Për katër vite me radhë organizatat dhe mediat u angazhuan të ngrenë zërin për të ndërgjegjësuar institucionet dhe të ndërmarrin hapa kompetente në lidhje me sigurinë e shëndetit fizik dhe mendor të qytetarëve. Shifrat e publikuara janë shqetësuese, ku sipas mjekëve dhe psikologëve të dy shqetësimet lidhen me njëra tjetrën, e kjo zakonisht ndodh te adoleshentët. Sa i përket shëndetit fizik, hulumtimet tregojnë se tetë nga 10 prindër përdorin dhunë fizike dhe psikike.

Njohësit e çështjeve sociale dhe ekspertët thonë se këto implikime vijnë edhe si pasojë e traditës por edhe si pasoj e mosnjohurive të duhura për mënyrat pedagogjike të edukimit të fëmijëve.

Sociologu Naser Rushani, në një prononcim për gazetën KOHA përmendi disa nga arsyet të cilat ndikojnë në shëndetin e qytetarëve dhe kryesisht te të rinjtë. Ai tha se shëndeti mendor po rrezikon të gjitha gjeneratat. Sipas tij, në kushtet në të cilat jetojnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, rrezikohet edhe shëndeti fizik edhe ai psikik. Në vija të trasha, siç thotë ai, shkojnë paralel, por në qoftë se prekim esencën shëndeti mendor rrezikohet më shumë.

“Numrin më të madh të qytetarëve e ndjek një shqetësim psikik për shkak të ekonomisë së dobët. Por nuk është vetëm kjo, sepse devalvimi i vlerave, ikja nga përgjegjësia, sëmundjet socio-patologjike, mungesa e religjionit-fesë, tranzicioni i stërzgjatur, dhuna, përjashtimi nga institucionet shtetërore, mungesa e raporteve ndërnjerëzore, si dhe diskrapanca në shoqëri janë arsye jo pak të vogla që ndikojnë në shëndetin fizik dhe psikik”, tha Rushani.

Ai u bëri thirrje institucioneve shtetërore që në mënyrë serioze të analizojnë të gjitha këto probleme sociale të cilat na rrethojnë. Sipas tij, autoritetet shtetërore duhet të sensibilizojnë qytetarët si dhe të krijojnë një platformë për t’ju dalë në ndihmë qytetarëve.

“Ne ende nuk kemi krijuar një kulturë të tillë që ta vizitojmë psikologun ose psikoterapeutin për shkak të paragjykimeve. Është koha që personat që vuajnë nga shëndeti mendor të konsultohem me psikolog, sociolog por edhe me persona që janë kompetent për lehtësimin e problemeve të tilla”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, për kundër thirrjeve të qytetarëve dhe psikologëve e sociologëve për rritjen e vetëdijesimit te institucionet kompetente, duket se Ministria e Shëndetësisë kësaj here pati një “sy e vesh” te populli ku në dhjetor të vitit që lamë pas në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, morën përsipër “Planin kombëtar të veprimit për shëndetin mendor dhe mirëqenien psikosociale të fëmijëve dhe adoleshentëve”, duke dashur t’i ndihmoj të gjithë fëmijët dhe adoleshentët nga këndvështrimi i tre sektorëve: shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale.

Ndër të tjera, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo i katërti person në Maqedoni do të përjetojë një problem të shëndetit mendor në një moment të jetës së tij, dhe të rinjtë janë veçanërisht të cenueshëm ndaj problemeve të shëndetit mendor, për shkak të sfidave dhe presioneve me të cilat përballen në jetën e tyre. /Koha/