05/11/2024

Procedura e vënies në funksion të çerdhes së ndërtuar në oborrin e shkollës fillore “Kirili dhe Metodij” në Tetovë, ende po zvarritet. Komuna thotë se i ka kryer obligimet, Ministria e Financave kërkon nga mbikëqyrësi i ndërtimit t’i përfundojë obligimet, kurse ndërmarrja që bën mbikëqyrjen e ndërtimit, “Euroconsult”, thotë se nuk i lejohet të japë deklaratë, shkruan Portalb.mk.

Sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, çerdhja është e paraparë për të siguruar deri mbi 200 vende për qëndrim ditor. Ndërtimi i objektit përfundoi në prill, kurse në korrik, pas hetimit të Portalb.mk, nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale thanë se Komuna duhej edhe ta regjistrojë çerdhen në Kadastër, dhe fletëpronësinë bashkë me dokumentacionin e ndërtimit ta dorëzojë te Ministria e Financave. Komuna atëherë deklaroi se është në pritje të dokumentacionit nga ndërmarrja mbikëqyrëse “Euroconsult”.

Tani, pothuajse tre muaj më vonë, nga Njësia për Arsim e Komunës së Tetovës deklaruan se Komuna e ka regjistruar çerdhen në Kadastër dhe i është nxjerrë fletëpronësi.

“Sa i përket pyetjeve të juaja rreth çështjes së çerdhes së re, të gjitha kërkesat që janë drejtuar Komunës së Tetovës nga ana e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale janë të kryera. Komuna e Tetovës e regjistroi çerdhen në kadastër dhe nxorëm listë pronësie… të njëjtën ua kemi dërguar Njësisë për Financat Qendrore dhe Kontratat pranë Ministrisë së Financave, mirëpo nga ana e Ministrisë së Financave nuk kemi ndonjë përgjigje për rastin”, shkruajnë nga Njësia për Arsim.

Ministria e Financave e konfirmoi të njëjtën, por thanë se meqë projekti është i realizuar me fondet IPA, patjetër të kryhen të gjitha hapat ashtu që të mund të dorëzojnë një dokument final ku përcaktohet vlera reale financiare e projektit.

“Për sa i përket realizimit të projektit konkret, nga mbikëqyrësit pritet që deri në fund të vitit të realizohen pagesat e fundit sipas Marrëveshjes për Punët e Ndërtimit, duke mbyllur në këtë mënyrë Marrëveshjen e Punëve të Ndërtimit dhe duke përcaktuar vlerën e saktë financiare të objektit, pas së cilës do të fillojë bartja administrative e pronësisë së çerdhes në Komunën e Tetovës”, thonë nga Ministria e Finanacave.

Ndërmarrja përgjegjëse për mbikqyrjen e ndërtimit, “Euroconsult”, kërkoi fillimisht të konsultohet me Ministrinë e Financave, kurse më vonë nuk e pranoi kërkesën e Portalb.mk për të dhënë deklaratë me arsyetimin se sipas rregullave nuk u lejohet të japin drejtpërsëdrejti informacione rreth punës së tyre.

Kjo çerdhe premtohej prej mandatit të ish kryetares së Tetovës, Teuta Arifi, por ndërtimi i saj vazhdimisht është shtyrë me arsyetimin se për shkak të Covid-19, prindërit i mbajnë fëmijët në shtëpi. Vitin e kaluar nga Sektori për Arsim njoftuan se çerdhja do të ishte gati në janar të këtij viti.