09/12/2024

Kuvendi i RMV-së sot do ta mbajë mbledhjen e 139-të në të cilën pritet të konstatohen dorëheqjet e kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, si dhe të zgjidhet kryetari i ri i shtëpisë ligjvënëse, Jovan Mitreski, koordinator aktual i grupit parlamentar të LSDM-së.

Kovaçevski dhe Xhaferi, i cili do të jetë mandatar i qeverisë teknike, dorëheqjet i dhanë dje me çka nisi procedura për zgjedhjen e qeverisë teknike më 28 janar, njëqind ditë para zgjedhjeve kuvendare më 8 maj.

Në bazë të Rregullores, për kryetar të Kuvendit është zgjedhur kandidati i cili ka fituar shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Pas zgjedhjes dhe betimit solemn, Xhaferi do t’ia dorëzojë funksionin Mitreskit.

Në ndërkohë partitë politike do ta njoftojnë presidentin e shtetit Stevo Pendarovski se në Kuvend kanë shumicë, pas çka ai në orët e pasdites do t’ia ndajë mandatin për formimin e qeverisë teknike Talat Xhaferit.

Mandatari teknik të shtunën do të dorëzojë program dhe përbërje të Qeverisë në Kuvend.

Përbërja e Qeverisë teknike tashmë dihet pasi partitë politike i publikuan propozimet për ministra dhe zëvendësministra shtesë.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, propozim për kryeministër teknik, dje në intervistë për Kanalin e Kuvendit, theksoi se jo vetëm që pret të kemi proces të drejtë, demokratik dhe të suksesshëm zgjedhor, por, siç tha, kemi obligim të sigurojmë zgjedhje të tilla.

“Unë jo që pres të kemi zgjedhje të tilla, por e kemi obligim. Dhe kjo vetvetiu është sfidë, dhe fillimisht, personalisht për mua si bartës i atij funksioni, ndërkaq duke i pasur parasysh komunikimin me përfaqësuesit të cilët do të jenë pjeës e asaj qeverie, konsideroj se të gjithë e kanë të qartë se jemi të obliguar ta sigurojmë për qytetarët. Dhe unë jam i bindur se atë do ta sigurojmë dhe do të kemi konsensus mes të gjithë pjesëmarrësve në atë proces”, tha Xhaferi në intervistë për kanalin kuvendor.

Ai thekson se kanë obligim moral, politik dhe etnik ndaj qytetarëve, t’u sigurojnë pasqyrë adekuate para institucioneve ndërkombëtare të cilët në mënyrë adekuate do ta mbikëqyrin procesin e zgjedhjeve.

Ndryshe, Qeveria teknike sipas paralajmërimeve të Talat Xhaferit pritet të votohet ditën e diel.