-0.2 C
Skopje

Sot skadon masa e Qeverisë për marzhë tregtare! Pritet rritje e çmimeve të produkteve bazë

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut druajnë se nga sot do të përballen me valë të re të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore bazë, pasi pres sot skadon masa e Qeverisë për marzhën tregtare.

Kjo masë ishte vendosur më 1 mars me qëllim kufizimin e fitimit për tregtinë me shumicë për 5 për qind, si dhe 10 për qind për tregtinë me pakicë.

Sipas vendimit tashmë të skaduar, produktet bazë ushqimore si buka, sheqeri, kripa, mielli, vaji, qumështi dhe produktet e tij, mishi, orizi, vezët, pastat, gruri dhe frutat e perimet shiteshin me fitime të vogla, ndërsa shumë prej tyre edhe pa Tatimin e Vlerës së Shtuar (TVSH).

Rritje të çmimeve deri në 20 për qind paralajmërojnë nga Shoqata e biznesit të mishit dhe produkteve të tij.

Qeveria ka paralajmëruar se periudha në vazhdim do të jetë e vështirë, pasi bazuar në tregjet botërore pritet rritje e mëtejme e çmimeve të ushqimeve si karburanteve, rrymës dhe burimeve tjera të energjisë.

Për t’i zbutur pasojat, Qeveria ka paralajmëruar një pako të re ndihme prej rreth 80 milionë eurosh për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve.