11/12/2024

Të paktën 22 persona u vranë dhe disa dhjetëra të tjerë u plagosën të mërkurën në të shtëna masive me armë në qytetin Lewiston të shtetit Maine, raportojnë mediat amerikane të cilat citojnë burime të ndryshme nga organet e zbatimit të ligjit.

Deri në publikimin e këtij lajmi ende nuk dihet numri i saktë i viktimave. Departamenti i policisë në Lewiston identifikoi në rrjetin Facebook një person që besohet se ka lidhje me të shtënat masive në një bar sportiv. Robert Card, 40 vjeç, duhet të konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm, tha policia. Policia e shtetit Maine dhe një sherif i qarkut raportuan më herët për një sulmues aktiv por pa dhënë detaje.

“Në Lewiston ka një sulmues aktiv”, shkroi në rrjetin X policia e shtetit Maine, duke u kërkuar banorëve që të mbylleshin në shtëpi ndërsa organet e rendit po hetonin të shtënat në disa vende.

Organet e rendit postuan në rrjetin Facebook dy foto të një të dyshuari, duke thënë se ende nuk ishte kapur. Spitali i qytetit Lewiston tha përmes një deklarate se: “po reagonte ndaj një sulmi masiv me viktima të shumta dhe po koordinohej me spitalet e zonës për pranimin e pacientëve”.

Gazeta e qytetit Lewinston “The Sun Journal” citoi zëdhënësin e policisë të ketë thënë se ishin regjistruar incidente me të shtëna në tre zona të ndryshme. Presidenti Joe Biden është informuar dhe do të vazhdojë të marrë përditësime, tha një zyrtar në Uashington. Guvernatorja e shtetit Maine, Janet Mills, tha në një deklaratë se ishte informuar për situatën. /VOA