9.8 C
Skopje

Syarta, ndryshe pa shpikje e receta…!



Syarta atraktive, elegante dhe paksa çapkëne në skenë, ndërsa mjaft e thjeshtë në jetën e përditshme. Është një nga këngëtaret që sa herë që realizon një këngë të re, vjen origjinale dhe spikat me tendencat e reja, jo vetëm në muzikë por edhe në performancë e forma fizike fantastike.Ajo ka filluar të këndojë që kur ishte e vogël dhe në ndërtimin e karrierës si artiste, e ka ndihmuar vullneti dhe pasioni për muzikën. Syarta është ndër këngëtaret më të dashura dhe më të pëlqyera të skenës shqiptare. Me zërin e saj karakteristik dhe paraqitjen skenike, bën për vete rininë dhe jo vetëm,  kudo ku shfaqet. Është një ndër të paktat artiste që theksin e vë tek puna dhe jo tek pamja fizike, edhe pse ajo është një bukuroshe e lindur…! “Excusez-Moi” është klipi i saj më I fundit dhe ajo priti që kënga të kishte gjtihçka që duhej për të qenë e plotësuar tërësisht.

-Po përgatitesh për dy projekte të reja. Motivi kryesor që të shtyu që pas “Excusez-Moi” të jesh në përgatitje për risi?

-Ishtë vetë publiku. Shpesh më shkruajnë: Kur do sjellësh një këngë të re? Ndërkohë që unë në punët e mia mbaj disa këngë, të cilat i rishikoj dhe i punoj me veten.

Në përgjithësi, këngët ngjajnë me njëra-tjetrën. Klipet, po ashtu! Çfarë beson se ke bërë ndryshe në këtë këngë? Diçka që s’e kanë bërë të tjerët…?

– Këngët nuk kanë për detyrë të ngjajnë me njëra-tjetrën, përkundrazi! Duhet të jenë unike, sikur dhe artisti është me formimin dhe jetën unike që ka. Puna është që kur fillon e nuk ekziston më një larmi creative nga krijues të ndryshëm në muzikë, ndjekja e një modeli të vetëm, ndjekur në ritme, tekste dhe look, ndodh fenomeni i ngjashmërisë, që bota jashtë e refuzon për industrinë muzikore! Por ne, nuk kemi një treg dhe menaxhime të rangut botëror. Mbase rregullat e botës duam t’ua vendosim artistëve, por s’ua japim kurrë dot të merituarën apo lirinë e të zgjedhurit, pasi trrgu kaq ka e mban. Kështu që, merret me muzikë kush ka forcën e mundet. “Ndryshe” fillon atëherë kur je vetja. Nuk ka shpikje, as receta!


Kur ke qenë gati, ose e ke ndjerë veten gati të bëhesh personazh publik?

– Kam qenë gjithmonë gati me muzikën. Të qenurit publik nuk është cilësi. Ajo vjen vetë si rrjedhojë. S’e gjen dot fiks momentin kur dhe ku.

Kush nga femrat shqiptare që kanë bërë emër të pëlqen?

– Femra shqiptare të bukura që kanë bërë emër ka shumë, sa nuk veçoj dot! Te artistet, po që ndryshon puna!

Me kë mendon se ke ngjashmëri në stilin e të interpretuarit apo nuk do të kesh ngjashmëri me askënd?
– Mendoj se s’kam ngjashmëri, e këtë ma kanë thënë në kohë njerëz që merren me art. Mbase dhe për këtë, e ruaj me fanatizëm punën e të ngjashmes.

Nëse do ishe në një skenë me një këngëtar/e të skenave botërore, çfarë do kishte ndodhur në skenë?
– Nëse do isha në skenë me një këngëtar/e të skenave botërore duke kënduar, do të thotë që do më ketë mbërritur fati në derë, e ti faleminderit që ma ndjell! (qesh)

Një bashkëpunim me kë këngëtar do ishte me vlerë?
– Mjafton të jetë një artist i mirëfilltë, e çdo gjë do merrte vlerë.

Çfarë të josh më tepër nga bota e spektaklit?

– Vëmendja që të duhet për t’u përçuar e për t’u dashur masivisht nga publiku.

Do doje të ndryshoje diçka në pamjen tënde?

Akoma jo. Do t’i mbaj flokët e gjatë e bjond dhe për pak. Aty jam tunduar, me raste për ngjyrën.(Buzëqesh)

Po në karakterin tënd, çfarë nuk të pëlqen?

– Edhe nëse ka diçka që mund ta mendoj si minus, ka plusin e vetë nga pas! Ndaj, jam mirë kështu si jam. Në kohë, karakteret gdhenden vetvetiu, gjithnjë e më mire!

Për çfarë mendon më shumë një këngëtare si Syarta?
– Të jetojë e  lumtur!

Sa herë e shikon veten në pasqyrë?
– Nuk i kam numëruar. Mjaftueshëm, besoj.

Ëndërron vetëm në gjumë, apo dhe me sy hapur?
– Varet!(Qesh)

Kujt ia tregon gjërat e tua?
– Nuk jam natyrë që hapem përveçse me mamin. Gjërat e mija mbeten të mijat. I ruaj! Por, te njerëzit që më krijojnë besueshmëri, e mbi të gjitha respekt, gjendem rehatshëm.

Çfarë tjetër duhet të dimë për ty?

– Asgjë më shumë nga sa thashë.

Të ardhmes, çfarë do t’i kërkoje?

– Që e ardhmja të vazhdojë me mundësi, fat e buzëqeshje!