0.8 C
Skopje

Tahiri: Janë 8 persona që e dinë se çfarë ka ndodhur me prodhimin e rrymës, do të hetohen nga Komisioni

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, thotë se janë 8 sinjalizues nëpër institucione të Kosovës të cilët ua kanë ofruar të dhënat për tre muajt e fundit se si ka ndodhur subvencionimi i rrymës prej 100 milionë euro dhe sa ka prodhuar, eksportuar dhe importuar rrymë Kosova gjatë krizës së tre muajve të kaluar, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se nëse formohet Komisioni Hetimor ata do t’i ftojnë këta 8 persona që sipas tij kanë dijeni për të gjitha zhvillimet me rrymës.

“Ne kemi dyshime konkrete, ajo çka është e rëndësishme është se janë një numër i vogël i njerëzve, që nuk e kalojnë besoj shifrën 8, të cilët në këto institucione i dijnë zhvillimet krejt për këto çështje. Ne sot nuk kemi mandat për t’i pyetur ata njerëz për të gjitha këto dhe pikërisht është e nevojshme formimi i Komisionit Hetimor që do t’i ftojmë këta 7 apo 8 persona në institucionet e Kosovës të cilët kanë dijeni për çdo zhvillim”.

Ai tha se shifrat që kanë prezantuar tregojnë se Kosova s’është përfshirë nga kriza globale e rrymës pasi ka prodhurar energji.

“Këto të dhëna janë gjysmake pa praninë e tyre dhe pa nxjerrë në pah se sa përqind prej atyre parave 100 milionë eurove janë shpenzu, si janë shpenzuar ata para, pse është ngritë çmimi i energjisë elektrike 100% kur kriza rajonale dhe globale nuk na ka afektu sepse e kemi pasë prodhimin tonë të brendshëm. Sipas këtij projektimi ne kemi importuar pesë përqind rrymë në këta tre muaj kritikë, pikërisht janë këta sinjalizues që na kanë sjellë të dhënat”, tha ai.