6.8 C
Skopje

Takim i lamtumirës i kryeparlamentarit Xhaferi me ambasadorin Sera

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së, Talat Xhaferi, sot pati takim të lamtumirës me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në fjalën e tij hyrëse, Kryetari Xhaferi shprehu mirënjohje për angazhimin e deritanishëm të ambasadorit të nderuar, duke i uruar njëherazi sukses në planin personal dhe profesional në detyrat e tij institucionale të radhës. Ai i përshëndeti marrëdhëniet dhe bashkëpunimin bilateral të vazhdueshëm dhe miqësor ndërmjet dy vendeve, të cilat për fat të keq, për shkak të pandemisë me virusin Kovid-19 nuk e ruajtën dinamikën e paraparë. Kryetari Xhaferi theksoi se në të ardhme, në aspekt të marrëdhënieve parlamentare, pret një bashkëpunim më të ngushtë me parlamentin spanjoll, a kuptohet edhe bashkëpunim në të gjitha fushat tjera me interes të ndërsjellë për të dyja vendet.
Ambasadori Sera po ashtu pohoi se pandemia kishte ndikim mbi intensitetin e komunikimit të ndërsjellë bilateral. Në vazhdim, ai shprehu mirënjohje për mbështetjen që Republika e Maqedonisë së Veriut ia jep Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës në kontekst të ruajtjes së integritetit të saj territorial dhe sovranitetit, përmes respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve, si parime themelore të shtetit juridik. Ambasadori Sera e përshëndeti funksionalitetin e Kuvendit dhe përfaqësimin e partive të ndryshme politike të cilat edhe pse kanë qëndrime të ndryshme për çështje të caktuara, megjithatë janë konstruktive në veprimin e vet. Ai e përsëriti mbështetjen e Mbretërisë së Spanjës për procesin e integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.