Këtë fundjavë u zhvillua edicioni i manifestimit kulturor “Takimet e Pellagonisë”. Aktivitetet kryesore ishin Konferenca shkencore me temën “Etnokultura e Pelagonisë (Prilep, Krushevë, Dollnen)” dhe Koncerti i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare, të organizuar nga Shoqata e Etnokulturës Shqiptare “Etnoalb”. Në konferencë morën pjesë 30 studiues nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova. Ishte një rast i veçantë për të promovuar kulturën dhe historinë e shqiptarëve në këtë rajon.
Vetë profesor Mustafë Ibrahimi përshtypjet e tij i ka përmbledhur në disa vazhdime në rrjetet sociale, duke mos fshehur ngazëllimin për këtë manifestim, i cili përfundoi edhe më bukur me koncertin më madhështor që është mbajtur ndonjëherë, në fshatin më të madh banuar me shqiptarë, Cërnilishtë që e dha Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Shqiptare.
“Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Shqiptare me drejtorin Shkodran Tolaj, në fshatin Cërnilishtë të Prilepit shfaqi Koncertin më madhështor që është mbajt ndonjëherë në këtë anë. Ky program kulturo – artistik do të ngele model jo vetëm për nga mënyra e organizimit dhe përmbajtja e tij, por shpërfaqi në mënyrë madhështore dimensionin dhe identitetin tonë kombëtar dhe evropian. Iniciativa jonë me drejtorin Tolaj dha rezultatet e pritura në kuadër të manifestimit “Takimet e Pelagonisë” që synohet të jetë aktivitet i përvitshëm dhe tradicional!
I tërë spektakli u përshkua me këngë dhe valle të fuqishme, falë një kombinimi midis: solistëve dhe orkestrës profesionale të Ansamblit, teknikës së shkëlqyeshme fonike përgatitur nga Arbëria Dizajn, moderimi i shkëlqyeshëm i Suela Demirit dhe publikut të mrekullueshëm.
Koncerti u mbyll me duartrokitje frenetike të publikut kur të gjithë pjesëmarrësit u ngjitën në skenë për të intepretuar bashkë me publikun himnin e pavdekshëm „Xhamadani“. Komuna e Dollnenit me kryetarin Urim Ibeski u kujdes për darkën e përbashkët me Ansamblit dhe miqve të ftuar. Më pas organizatorët bëmë ndarjen e Mirënjohjeve për më të merituarit për këtë “natë magjike” .
Një falënderim për Ansamblin Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Shqiptare në RMV dhe të gjithë artdashësve që ishin të pranishëm në këtë Koncert, si dhe studiuesve që kishin ardhur nga të gjitha trevat dhe qytetet shqiptare, nga: Tirana, Prishtina, Prizreni, Gjilani, Shkupi Tetova, Kërçova e Struga”, ka thënë Mustafa.