13/04/2024

Vizitën e Kryeministrit Talat Xhaferi në Bruksel dhe takimet me përfaqësues të lartë të institucioneve të BE-së dhe NATO-s, e paralajmëroi gjatë së martës në Klan Maqedoni, Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani. Madje ai bëri publike edhe agjendën e takimeve të Kryeministrit me zyrtarë të Brukselit.

“Kjo është një ndër pritjet më të mëdha që I ka pasur cili do Kryeministër në një udhëtim. Që do të thotë se populli dhe bota e kanë mirëpritur dhe I japin mirënjohje këtij fakti të rëndësishëm historik” – tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Ndryshe, Qeveria njofton se në kuadër të vizitës së punës në Bruksel, në selinë e NATO-s, Kryeministri Xhaferi është takuar me Zv/Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mirçea Xhoana. Në këtë takim sic thuhet, është potencuar roli i Maqedonisë së Veriut si faktor stabiliteti në rajon.

Kryeministri Xhaferi është takuar edhe me Presidentin e Këshillit të BE-së, Sharl Mishel.

Gjithashtu, sic njoftojnë shërbimet e qeverisë, Kryeministri Xhaferi, në Bruksel ka takuar edhe eurodeputetët Ilhan Kjuçuk, Tonino Picula, Tineke Strik dhe Karlo Resler.

Temat e takimeve në Bruksel me krerët evropian janë prioritetet e Qeverisë në drejtim të vazhdimit të procesit eurointegrues, me fokus tek reformat si dhe prioritetet që lidhen me Planin për rritje për Ballkanin Perëndimor, përgatitjet për zgjedhjet e dyfishta në vend si dhe cështje të kontekstit rajonal dhe global.

Në vizitën e tij të parë si Kryeministër, në Bruksel, Talat Xhaferi shoqërohet nga Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani dhe Zv/Kryeministri për Cështje Evropiane, Bojan Mariçiq. /tvklan.mk/