02/10/2024

Sot, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt takimi i parë i drejtorëve politikë të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (PBEJL), në kuadër të kryesimit tonë me Iniciativën.

Nën moton “Tejkalojmë ndarjet, ndërtojmë besim”, Maqedonia e Veriut kryeson me Iniciativën në periudhën korrik 2023 – fundi i qershorit 2024.

Në takim, përveç përfaqësuesve të të gjitha vendeve pjesëmarrëse në Proces, morën pjesë edhe përfaqësues të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe të Bashkimit Evropian.

Në takim u prezantuan prioritetet dhe kalendari i ngjarjeve të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me PBEJL-në, përmes të cilave vendi ynë kontribuon në avancimin dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore.

Pjesëmarrësit shkëmbyen mendime edhe për çështje aktuale me interes për rajonin dhe ndikimin e tyre në bashkëpunimin rajonal, si dhe për mbështetjen e integrimit evropian dhe zhvillimit të qëndrueshëm përmes bashkëpunimit ndërmjet vendeve pjesëmarrëse në Proces.

Iniciativa përfshin gjithsej 13 vende nga rajoni i Evropës Juglindore. Përveç Maqedonisë së Veriut, marrin pjesë edhe Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Moldavia, Kosova, Rumania, Serbia, Turqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia. Republika e Maqedonisë së Veriut është pjesëmarrëse në Proces që nga themelimi i tij, dhe ky është kryesimi ynë i tretë pas atyre të viteve 2000-2001 dhe 2012-2013.