01/12/2024

Dita e parë e takimit katërpalësh në Kajro, e zhvilluar dje me pjesëmarrjen e zyrtarëve nga Katari, Egjipti, Izraeli dhe ShBA-ja për të diskutuar një armëpushim në Rripin e Gazës, ka përfunduar me një notë “pozitive”. Palët kanë ra dakord të vazhdojnë konsultimet për të gjetur një zgjidhje për krizën humanitare.

“Konsultimet do të vazhdojnë gjatë tre ditëve të ardhshme”, tha kanali ‘Al Qahera News’, duke cituar një burim egjiptian.

Megjithatë, asnjë nga zyrtarët që kanë marrë pjesë në takim nuk kanë bërë asnjë koment deri më tani.

Gjatë ditës së djeshme, një delegacion izraelit i sigurisë mbërriti në Kajro për të marrë pjesë në takimin me përfaqësues nga Egjipti, Katari dhe ShBA-ja për të diskutuar perspektivat e arritjes së një armëpushimi në Gaza dhe një shkëmbimi pengjesh me grupit e rezistencës palestineze Hamas.

Në fillim të javës së kaluar, një delegacion i Hamasit realizoi një vizitë në Kajro për të diskutuar një shkëmbim të mundshëm pengjesh, si dhe armëpushimin e Gazës.

Sipas një burimi palestinez, Hamasi propozoi një plan armëpushimi me tri faza që përfshinte një pauzë 135-ditore në luftime për të lejuar shkëmbimin e pengjeve.

Marrëveshja kornizë origjinale për armëpushimin e Gazës u përpunua gjatë një takimi të mbajtur muajin e kaluar në Paris nga zyrtarë të lartë nga ShBA-ja, Izraeli, Katari dhe Egjipti.

Megjithatë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, hodhi poshtë ofertën e Hamasit për armëpushim dhe u zotua se do të vazhdojë të bombardojë Gazën derisa të arrihet një “fitore shkatërruese” mbi grupin palestinez.

Izraeli beson se 134 izraelitë po mbahen në Gaza pasi ushtria izraelite dje arriti të lirojë dy pengje në qytetin Rafah në Rripin e Gazës jugore.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 28.743 palestinezë dhe duke plagosur rreth 68.150 të tjerë, ndërkohë nga pala izraelite, besohet se janë vrarë 1.200 njerëz në sulmin e Hamasit.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite në Gaza ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu, 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), e cila në një vendim të përkohshëm këtë janar urdhëroi Tel Avivi të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.