Kur bëhet fjalë për sallatë, recetat janë nga më të larmishmet dhe pothuajse kombinimet nuk duket se kanë fund.
Por krahas shijes, rëndësi për çdo gatim kanë edhe vlerat ushqyese.
Në këtë recetë të përzgjedhur nga AgroWeb.org, ju do të merrni sasi të larta të betakarrotenit, fibrave dhe hekurit, të cilat ndihmojnë në forcimin e funksioneve të ndryshme që kryen trupi juaj.
AgroWeb.org ju këshillon të mësoni mënyrën e përgatitjes të kësaj sallate, e cila do ju ngopë shumë shpejt dhe falë thjeshtësisë së saj do ju kënaqë edhe shijen.
Përbërësit
- 2 karota të mëdha
- 1 qepë e kuqe
- 2 patate të ëmbla të mesme
- 3 lugë gjelle vaj ulliri
- 2 lugë gjelle uthull balsamike
- 250 g thjerrëza
- 75 gr djathë i bardhë e grirë
- 50 g rukola
- Kripë dhe spec djegës i grirë për shije
Përgatitja
Përpara se të filloni me përgatitjen e recetës, AgroWeb.org ju këshillon të ngrohni fillimisht furrën në 200°C.
Më pas vazhdoni me pastrimin e patateve dhe të karrotave.
Pasi t’i keni larë mirë, pritini ato në kubikë.
Vazhdoni duke prerë hollë edhe qepën e kuqe.
Pas kësaj bashkojni të gjithë këta përbërës në një tepsi të madhe, të përshtatshme për pjekje.
Spërkatni me 2 lugë gjelle vaj ulliri dhe sipas shijes edhe pak kripë dhe spec djegës të grirë.
Vendoseni tavën në furrë dhe lëreni për 30 minuta, duke i kthyer përbërësit herë pas here, derisa të zbuten dhe të marrin ngjyrë të artë.
Ndërkohë zieni thjerrëzat sipas udhëzimeve të paketimit dhe kur të jënë gati kalojini në një pjatë për servirje.
Sipër shtoni perimet e pjekura, djathin e bardhë të thërrmuar dhe rukolën.
Në fund spërkatni me uthull balsamike dhe pak vaj ulliri.
Sallata është gati për t’u shijuar./AgroWeb.org