09/12/2024

Lideri i integristëve, Ali Ahmeti në një intervistë për TV21 ka folur rreth shumë dilemave që këto ditë po qarkullojnë në opinion e që lidhen me emrin e tij dhe të BDI.

Ndryshimet e Kodit Penal, sipas tij, nuk ndërlidhen me ndonjë marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës maqedonase.

“Nuk ka asnjë marrëveshje me VMRO-në për të votuar ndryshimet kushtetuese. VMRO-ja e ka bërë publik qëndrimin e vet se ajo nuk do të votojë ndryshimet kushtetuese nën diktatin bullgar dhe ne kemi dallime të mëdha”, tha Ahmeti.

A po kthehet Nikolla Gruevski ? Ja çka thotë Ali Ahmeti

“A i ka konvenuar VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskit apo Sasho Mijallkovit ndryshimet e Kodit Penal?”. Duke u përgjigjur në këtë pyetje, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti mohoi se me ndryshimet e fundit do të amnistohen këta individë të cilët gjykohen për disa vepra penale në rastet e Prokurorisë Speciale.

“Edhe unë i dëgjoj këto legjenda. Nuk e di se ku gatuhen dhe pse gatuhen këto legjenda… Ndryshimet janë diskutuar para tre vjetësh… Nuk ka çfarë të diskutohej më tepër sepse është folur për ata”, tha Ahmeti.

Ahmeti i bindur: Deri në zgjedhje, Kushtetuta do të ndryshohet

“I gjithë aktiviteti, kombëtarë e ndërkombëtarë, bëhet para zgjedhjeve, deri në nëntor, Kushtetuta të jetë e ndryshuar, këtë e tha në intervistë për TV21 kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Ai deklaroi se është i bindur që vendi do të jetë anëtar i BE-së.

“Ndryshimet do të bëhen, ne do të jemi anëtarë fuqiplotë në BE sepse shërbim më të madh kombit shqiptar e maqedonas, e çdo patrioti, nuk mund të i bëjmë sesa anëtarësimi në BE, dhe nuk duhet shkuar me defetizëm, me dy mendje”, theksoi Ahmeti. /Flaka