03/10/2024

Miliona njerëz në të gjithë Turqinë mbajtën zi të martën për humbjen e më shumë se 53 mijë miqve, të dashurve dhe fqinjëve në tërmetin katastrofal të vendit një vit më parë.

Për të shënuar atë që e quan “Fatkeqësia e Shekullit”, qeveria organizoi një sërë ngjarjesh për të përkujtuar përvjetorin e një viti të fatkeqësisë në Turqinë jugore.

Në Antakya, kryeqyteti i provincës jugore të Hatay, turma të zemëruara u përleshën me policinë ndërsa zyrtarët shkuan në ceremonitë përkujtimore. Kryebashkiaku Lutfu Savas u prit me brohoritje që kërkonin dorëheqjen e tij, ndërsa ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca u tall teksa mbante një fjalim.

Hatay, i cili shtrihet midis Detit Mesdhe dhe kufirit sirian, ishte më i godituri nga 11 provincat jugore të goditura nga tërmeti me magnitudë 7.8 ballë. Duke përfshirë 6000 njerëz të vrarë në Sirinë fqinje, tërmeti la më shumë se 59 mijë të vdekur, raporton Associated Press.

Turmat në Adiyaman mbajtën një marshim të heshtur, duke kaluar kah një kullë sahati e cili vitin e kaluar ka treguar kohën e tërmetit.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan do të jetë në Kahramanmaras, epiqendra e tërmetit, për të inspektuar punën që po bëhet për rindërtimin e qytetit dhe ristrehimin e mijëra personave që mbeten në tenda dhe kontejnerë të parafabrikuar. Ai gjithashtu do t’ua dorëzojë shtëpitë e përfunduara të mbijetuarve dhe më pas do të kalojë pjesën tjetër të javës duke vizituar qytete të tjera në zonën e tërmetit.

Në një postim në rrjetet sociale, Erdogan tha se humbja nga fatkeqësia “vazhdon të na djegë zemrat ashtu si ditën e parë”, duke shtuar: “Falë Zotit, kombi ynë e ka kaluar me sukses këtë provë të dhimbshme dhe historike”.

Politikanët e opozitës po vizitojnë gjithashtu rajonin, me kreun e Partisë Popullore Republikane, Ozgur Ozel, i cili mori pjesë në përkujtimet në Hatay përpara se të udhëtonte për në Gaziantep dhe Kahramanmaras.

Shkollat u mbyllën në shumë nga provincat e prekura nga tërmeti. Në Malatya, guvernatori ndaloi çdo marshim ose shfaqje të tjera publike jashtë ngjarjeve të sanksionuara zyrtarisht për tre ditë.