03/10/2024

Ukrainasit u detyruan të braktisin sulmet e planifikuara me dron mbi objektivat ruse për shkak të ndërhyrjes së shefit të SpaceX, Elon Musk, i cili zotëron rrjetin satelitor të internetit Starlink.

Kievi planifikoi të kryente sulm me dron të minuar në një anije të marinës së Federatës Ruse që ishte ankoruar në një port në gadishullin e Krimesë.

Megjithatë, Musk nuk i lejoi forcat ukrainase hyrjen në Starlink sepse kishte theksuar më parë se rrjeti nuk duhet të përdoret për sulme. Prandaj, Ukraina hoqi dorë nga sulmi

Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valery Zaluzhny, thuhet se donte të vinte në kontakt me shefin e Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë Amerikane, gjeneralin Mark Milley, për t’u ankuar se Musku mund të diktonte atë që ushtria ukrainase mund ose nuk mund të bënte. Zaluzhny shprehu shqetësimin për faktin se Musku parandaloi sulmet e planifikuara. Musk ende nuk ka komentuar mbi këto akuza, shkruan CNN.

Këshilltari i presidentit të Ukrainës, Mihajlo Podoljak, deklaroi se lufta në Ukrainë ka hyrë në një fazë kritike dhe se forcat ukrainase kanë nevojë për pavarësi operacionale dhe teknologjike.

Pasi Rusia pushtoi Ukrainën në fund të shkurtit 2022, Musk lejoi Kievin të përdorte Starlinkun për të shmangur varësinë nga infrastruktura e saj, të cilën Moska filloi ta shkatërronte. Por Musku e bëri të qartë se Starlinku duhet të përdoret vetëm për qëllime mbrojtëse dhe nuk e ndryshoi vendimin.

Polemika e fundit u ngrit pasi presidentja e SpaceX, Gwynne Shotwell, ka thënë në shkurt se do të kufizonte qasjen në Starlink të Kievit për qëllime ushtarake. Ukraina do të jetë ende në gjendje ta përdorë atë për komunikime civile dhe veprime humanitare. Megjithatë, Ukraina ka përdorur Starlinkun edhe për sulme me dron.