-0.2 C
Skopje

“Unaza e Kombit” Tiranë – Shkup – Prishtinë, projekti gjigant që shumë shpejt do bëhet realitet

Fluksi i kolonave në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë gjegjësisht të pranishme kurdoherë.

E duket se për lehtësimin e kësaj gjendje nuk ka mjaftuar mbledhja e liderëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kokë më kokë, një vit më parë.

Në atë takim gati historik, Qeveritë e të dyja vendeve nënshkruan plot 11 marrëveshje, që kishin të bënin me fusha të ndryshme të bashkëpunimit, por në asnjërën prej tyre nuk është paraparë lehtësimi në pikat kufitare.

Pritja do të jetë e gjatë – krahasuar kjo me kohën që iu desh Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të arrijnë fillimisht një marrëveshje lehtësimi.

Modeli kufitar “One – Stop – Shop” ishte një nga pikat që u ra dakord në vitin 2019 mes ministres shqiptare të Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe homologut të saj në Maqedoninë e Veriut, Kreshnik Bekteshi.

Dhe implementimi i saj – ashtu siç deklarohet nga të dyja palët – është gati në përfundim.

Kjo do të ishte vetëm pikënisja pasi me akordet e arritura në kuadër të nismës Open Balkan, në lojë do të futeshin edhe ato që njihen si korsi jeshile, pra kalimi pa asnjë ndalesë në kufi.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës, e ka privuar shoqërinë nga marrja e një shërbimi të tillë, pasi është pozicionuar kundër nismës Open Balkan të ndërmarrë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Pse do të jetë pengesë e madhe kjo për Kosovën?

Sepse Tirana, Prishtina dhe Shkupi do të lidhen nga një projekt gjigand i një unaze infrastrukturore, në formën e një korridori autostradal të kalimit të përshpejtuar (qoftë për individët, ashtu edhe për mallrat).

E cilësuar si “Unaza e Kombit” Tiranë – Shkup – Prishtinë ajo pritet që shumë shpejt të bëhet realitet.

Kompania Bechtel dhe partneri i përbashkët ENKA kanë përfunduar dy autostradat e para të Kosovës, që krijojnë një korridor transporti nga kufiri i Kosovë-Shqipëri, përmes kryeqytetit të saj, deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut.

Kjo e fundit ka hapur ofertën për tender ndërkombëtar për autostradën e shumëpërfolur Shkup-Prishtinë.

RMV-ja po synon të përdorë një pjesë e të ardhurave të një kredie nga granti i administruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH për koston e projektit të shumëpritur, sidomos nga ana e Kosovës.

Pjesa e mbetur prej 2 kilometrash nga Kryqi i Bllacës deri te vendkalimi Kufitar është aktualisht në ndërtim e sipër.

Zëvendëskryeministri i RMV-së, Artan Grubi, pas lajmit të miratimit për garancimin e huamarrjes tha se është koha e vënies së gurthemelit të Korridorit 8.

Për të ky është një afrim me ëndrrën dhe premtimin e dhënë për realizimin e projektit më të madh infrastrukturor në historinë e vendit.

Nga ana tjetër, ndërtimi i segmentit prej Shkupit, deri në Qafën e Thanës pritet së shpejti të mbyllë punimet.

Më pas, do t’i takojë Qeverisë shqiptare të përmbyllë edhe pjesën e mbetur të saj deri në Rrogozhinë.

Kjo për t’u lidhur më pas me Tiranën, duke mbyllur rrethin e plotë të krijimit të korridorit shumë të rëndësishëm mes tre shteteve, i cili zhvillohet me degëzime edhe në vende më të largëta, duke ofruar kështu lehtësi të madhe në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.

Unaza lidhet gjithashtu me një korridor të madh transporti pan-evropian, që kalon midis Salzburgut në Austri dhe Selanikut në Greqi, duke kaluar përmes Sllovenisë, Kroacisë dhe Serbisë, e duke mundësuar kështu tregtinë me pjesën tjetër të botës.

Me pak fjalë, një përfitim masiv i të tre shteteve për kalimet kufitare…nëse skenari do të mbetej me kaq.

Por, Kosova, nuk e ka “luksin” që kanë qeveritë e tjera të rajonit, atë të marrëveshjeve.
Më konkretisht, cilat do të ishin përfitimet?

Hapje tërësore e kufijve për Shqipërinë, e cila potencialisht pikë kufitare me kontrolle policore strikte do të ketë vetëm atë me Greqinë në jug në pak vjet, do të jetë lehtësia e radhës.

Nën nismën “Open Balkan”, korridoret e hyrje-daljes mes tre shteteve, do të jenë të hequra, me krijimin e linjave të gjelbra edhe për qytetarët, pasi për tregtarët, ka filluar tashmë.

Me Kosovën fqinje, kufiri është tashmë një formalitet, pasi kontrollet janë hequr tërësisht për sezonet verore dhe fundjavat, ku implementimi i plotë i hapjes tërësore të kufirit, pa asnjë kontroll policor, do të jetë aktiv në pak kohë.

Me Malin e Zi, po ashtu kufijtë janë thuajse një formalitet dhe ndërtimi i urës së re, e cila do të lidhë Velipojën me Ulqinin, do të thjeshtojë edhe më shumë lëvizjen dhe do të hapë më tej korridorin ballkanik.