12/07/2024

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i shoqëruar nga Dekani i Fakultetit të Administrimit të Biznesit, Prof. Dr. Llokman Ebibi, Prof. Dr. Jahi Jahiu, përgjegjësja e Zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar, Doc. Dr. Hatibe Deari-Zeqiri, realizuan vizitë pune në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku u pritën nga sekretari i përgjithshëm, Mr. Metodija Dimovski dhe shefja e Kabinetit, Ljubica Lilikj-Todorovska.

Në këtë takim, Universiteti i Tetovës, përkatësisht Fakulteti i Administrimit të Biznesit, programi studimor Administratë Publike – Kumanovë dhe Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut nënshkruan memorandum bashkëpunimi.

Qëllimi i këtij memorandumi është realizimi i bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit dhe Sekretariatit të Përgjithshëm lidhur me shkëmbimin e përvojave, njohurive, edukimit dhe aftësimit të kuadrove nga fushat në të cilat të dyja palët kanë interesa strategjike, programore, kadrovike dhe potenciale të tjera.

Ky bashkëpunim i ndërsjellë do të realizohet në sfera të ndryshme të fushëveprimit, siç janë: angazhimi i studentëve nga fakulteti i sipërpërmendur për nevojat e Sekretariatit të Përgjithshëm; avancimi, promovimi dhe nxitja e procesit të edukimit të administratës, në drejtim të organizimit dhe zbatimit të aktiviteteve edukuese (trajnime, seminare, punëtori, tryeza të rrumbullakëta, takime shkencore dhe të ngjashme), për aftësim profesional të nëpunësve administrativë dhe të punësuarve në Sekretariatin e Përgjithshëm.

Gjithashtu, pikë e rëndësishme e këtij memorandumi është edhe organizimi dhe realizimi i aktiviteteve edukative për aftësimin praktik të studentëve, kërkime profesionale e shkencore dhe shkëmbimin e të dhënave për çështje me interes të përbashkët.