
Ushtria izraelite njoftoi se vazhdon operacionet e saj tokësore në veri të Rripit të Gazës nën bllokadë dhe bombardime intensive dhe se ka vrarë disa elementë të armatosur të Hamasit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga ushtria izraelite thuhet se vazhdojnë operacionet e saj tokësore në veri të Rripit të Gazës dhe se janë vendosur në objektiv disa pika ushtarake të Hamasit.
“Janë goditur pikat e lëshimit të raketave antitank, pikat e vëzhgimit dhe infrastruktura ushtarake të Hamasit”, theksohet në deklaratën në të cilën pretendohet se “përveç anëtarëve të Hamasit që hapën zjarr ndaj ushtarëve janë vrarë edhe elementë të armatosur që u identifikuan në vijën bregdetare pranë rajonit Zikim të Rripit të Gazës”.
Tanket e ushtrisë izraelite që kaluan sot kufirin, u vërejtën se janë pozicionuar në zonat bujqësore në afërsi të lagjes Beit Hanoun në veri të Gazës. Ushtria izraelite në një deklaratë të premten më 27 tetor njoftoi se njësitë tokësore “do të zgjerojnë aktivitetet e tyre” përreth Gazës.
Pas kësaj deklarate ushtria izraelite ashpërsoi sulmet e saj nga ajri, toka dhe deti në rajon, kryesisht në veri të Gazës.