0.8 C
Skopje

Verilindorët rikthehet me barazim në shtëpi, Laçi merr një pikë në “Kukës Arena”

Është mbyllur me rrjeta të paprekura takimi mes Kukësit dhe Laçit në “Kukës Arena”, me verilindorët që kthehen në shtëpinë e tyre pas gati 3 vitesh, por nuk mundën të siguronin fitoren para tifozëve të tyre, me skuadrat që ndajnë kështu nga një pikë.

Kukësi e nisi vrullshëm takimin në shtëpinë e tij të re, ku minutat e para i përkisnin skuadrës verilindore, e cila e motivuar nga mbështetja e tifozëve kërkoi të gjente golin, me rastin e parë që i takoi kapitenit, Gjelbrim Taipit, i cili nuk u tregua i saktë brenda zonës kundërshtare.

Përsëri Gjelbrim Taipi rrezikoi portën e Dajsinanit në dy raste, ku Ignjatovic rrezikoi të shënonte autogol, ndërsa në rastin tjetër kapiteni i Kukësit u ndal nga portieri i Laçit, Dajsinani.

Kurbinasit e Shpëtim Duros u “zgjuan” vetëm në minutën e 38-të kur Ujka i asistuar nga Guindo e dërgon topin shumë larg portës së verilindorëve.

Pjesa e parë në “Kukës Arena” u mbyll në sulm për vendasit, ku pas një kombinimi Milunovic-Feijao me këtë të fundit që godet topin, por gardiani i kurbinasve ishte i vëmendshëm.

Djemtë e Diego Longos kërkuan menjëherë të gjejnë golin edhe në pjesën e dytë, por kapiteni i verilindorëve provoi nga distanca për të surprizuar Dajsinanin por topi i goditur nga Gjelbrimi shkoi larg portës së kurbinasve.

Rreziku kaloi në portën tjetër me miqtë që provojnë me Guindo dhe Deliun, me kurbinasit që janë të pasaktë përpara portës së Xhikës.

Ndeshja pati ndalesa te shumta për shkak të dëmtimeve të lojtarëve. Puntus dëmtohet rëndë 10 minuta nga fundi i lojës, teksa doli nga fusha e blertë me barelë.

Në minutën e 85-të Laçi ka mundësinë e artë për të gjetur edhe golin e fitores, teksa Guindo i shërbyer nga Spahiu humbet një rast të mirë.

Bruno Lulaj humbet rastin më të mirë të takimit në minutën e 90-të, i gjetur i pambuluar nga mbrojtja e kurbinasve nuk shfrytëzon një top në zonë për të gjetur golin e fitores. I gjithë kampi verilindorë në këmbë, teksa nuk iu besojnë syve se çfarë rasti humbi mbrojtësi.

U mbyll 0-0 ky takim mes dy ekipeve, ku renditja dhe diferenca mes verilindorëve dhe kurbinasve vazhdon të mbetet e pandryshuar, me Laçin që mban vendin e dytë me 51 pikë, ndërsa Kukësi e ndjek nga pas me 5 pikë më pak. /f.a/abcnews.al