Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duket se ka fokusuar shumë në interesat e partisë së tij, në vend që të kushtojë vëmendje interesave të shtetit. Megjithatë, integrimi në BE duhet të jetë prioriteti kryesor për shtetin dhe duhet të ketë një konsensus politik për ta arritur atë.
Mëkati lidhet me interesin e shtetit, e një opozitar me gojën plot “interes nacional”, sigurisht se nuk do të duhej të realizonte interesin e partisë dhe të tij personal, para prioriteteve të shtetit. Tash në këtë moment, interesi më madhor i shtetit është integrimi në BE dhe hapat e fundit vendimtarë, që duhet t’i ndërmarrim për t’i hapur negociatat. Për këtë, na duhet ai hap i vogël, një konsenzus i përgjithshëm politik midis pushtetit dhe opozitës për ndryshimet kushtetuese, diçka beninje, me futjen e bullgarëve në kushtetutë bashkë me disa bashkësi tjera të vogla.
Këtë ai nuk e bën, sepse konsideron se kështu “i ndihmon” pushtetit që ai don ta rrëzojë. Në këtë agjendë, kushedi, i trimëruar nga ndonjë anketë, gjithë potencialin e ka vënë në pritje të zgjedhjeve të parakohshme ose të rregullta, ku shpreson të fitojë. Madje, dje doli dhe me një parashikim tejet ambicioz, dhe mbase jo real, se Fronti për Evropë, do të ketë 10 deputetë më pak.
Letra duron çka të shkruash, e gjuha koc nuk ka, thuaj çka të të kujtohet, punë e madhe. Edhe ëndrrat po deshe, ëndrra të bukura po të parealizueshme mund t’i hedhësh në letër. Listë dëshirash!
Nuk e dimë ku e bazon optimizmin e tillë Mickoski, por duhet thënë një gjë, me supozim se ka të drejtë! Në kohëra të ndryshme, kanë fituar forca retrograde, madje në zgjedhje demokratike. Kjo nuk do të thotë se fitimi i një force, për iks-arsye, është zgjidhja më e mirë për një vend. Nëse Maqedonia zgjedh midis Frontit Evropian, që ka një qëllim të përcaktuar qartë, dhe dikujt që shet ëndrra se nesër do ta ndërrojë këtë agjendë, – duke shitur optimizëm sikur agjendën do ta ndërrojë për të mirë, e në të vërtetë jo që s’ndryshon gjë për të mirë, po mundet së prapthi t’i kthejë gjërat – atëherë, qytetarët bëhen bashkëpjesëmarrës në kthimin prapa, në ecjen në drejtim të pasigurt. Ose, qytetarët luajnë rol vetëm në ndërrim rolesh, kur aktorët tjerë vazhdojnë të njëjtën gjë. Vetëm me një kohë të humbur kot!
VMRO-DPMNE deri tash ka qenë një subjekt i cili ka ditur të manipulojë me shumëçka: në raport me fqinjët, në raport me shqiptarët, e sidomos me çështjet brenda-maqedonase, si “specialitet” i saj, e deri në raport me anomalitë shoqërore të tranzicionit. Por, të mos harrojmë, se pikërisht dukuritë si korrupsioni, keqpërdorimi i pushtetit që kjo parti ua adreson të tjerëve, janë parë më së shumti pikërisht te bartësit e funksioneve më të larta nga vetë VMRO-DPMNE-ja! Atje ku kanë pushtetin lokal, lëvrijnë nga e njëjta gjë!).
Qytetarët dhe mund të gabojnë, kjo nuk diskutohet. Mund dhe të mos e çmojnë sa duhet rrugën evropiane të subjekteve që e kanë zgjedhur këtë drejtim (“çka na duhet Evropa!”), mirëpo, sa na duhet Evropa, dëshmon pikërisht numri i pasaportave bullgare që kanë marrë shumë qytetarë të Maqedonisë, të cilët në këtë mënyrë duan të jenë pjesë e Evropës dhe mundësive që jep ajo. Qëllimi i Frontit Evropian është që Evropën ta sjellë këtu, që të mos ketë askush nevojë të marrë pasaporta shtetesh të tjera, por që pasaporta jonë të ketë vulën evropiane.
Këtu është manipulimi i Mickoskit dhe përkrahësve të tij, e për optimizmin se Fronti për Evropë do të pësojë aso debakli që parashikon ai, është vetëm një ëndërr që ai e shikon çdo ditë me sy çelë.