-5.2 C
Skopje

(VIDEO) Gashi jep llogari për 100 ditët e parë në Qeveri




Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi ka dhënë llogari sot për 100 ditët e para të qeverisjes së partisë së tij. Në qendër të llogaridhënies ishte marrëveshja 9-pikëshe për pjesëmarrje në Qeveri, e cila sipas Gashit ishte standard i ri në politikëbërje që duhet ndjekur edhe nga partitë e tjera shqiptare. Por, zhvillimet e fundit në plan të brendshëm dhe ndërkombëtar kanë ndikuar në dinamikën e përmbushjes së kësaj marrëveshje. Deri tani është ruajtur premtimi për mosshtrenjtimin e energjisë elektrike për më shumë se 20%.
AFRIM GASHI, KRYETAR I ALTERNATIVËS
“Kur flasim për përmbushjen e kësaj marrëveshjeje, dua të jem korrekt me opinionin dhe me ju për t’ju thënë se dinamika e krizave globale dhe vendore ka ndikuar edhe në përmbushjen e saj. Deri më tash e kemi përmbushur qëndrimin se nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike më shumë se 20% deri në fund të vitit dhe këtë besoj se e ndjejnë të gjithë qytetarët e vendit në buxhetin e tyre familjar”.
Sa i përket kërkimit të ndihmës ndërkombëtare për rastet e montuara gjyqësore, një prej pikave të marrëveshjes më të diskutuara në opinion, Gashi theksoi se kanë dakordësi të plotë me kryeministrin për përmbushjen e kësaj pike, por megjithatë do të presin moment më të përshtatshëm.
AFRIM GASHI, KRYETAR I ALTERNATIVËS
“Kam dakordim të plotë me kryeministrin Kovaçeski që letrën për Komisionin Europian ta dërgojmë që sot dhe nuk ka as edhe një pengesë të vetme vendore që e ndalon këtë, por pas konsultimeve që i kam bërë me disa miq ndërkombëtarë, këshilla e tyre ka qenë që të gjendet një moment më i përshtatshëm për këtë kërkesë, ngase duke u gjendur në vlugun e krizës së Ukrainës, letra e tillë mund të rrezikojë të mos gjejë pranues që do ta trajtojë seriozisht dhe do të përgjigjet ashtu”.
Marrëveshja për pjesëmarrjen e Alternativës në Qeveri përmbante edhe pika që kanë të bëjnë me zhvillimin e barabartë rajonal, zhvillimin ekonomik të zonës së Likovës, mbrojtjen e familjes si bërthamë të shoqërisë dhe të tjera. /SHENJA/