04/10/2024

Vizita e kryetares së Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen në Shkup, pos agjendës së publikuar, bartë me vete edhe nxitjen e faktorëve politik për t’i miratuar ndryshimet kushtetuese, në mënyrë që të respektohet koha e paracaktuar për vazhdimin e procesit eurointegrues, thotë për TVM2, analisti politik, Xhelal Neziri. Ai potencon nevojën për shfrytëzimin e vullnetit të BE-së, që asnjëherë më parë nuk ka qenë aq e vendosur për zgjerim me rajonin tonë.

“Vizita e kryetares së KE-së në RMV pritet të japë edhe një shtytje, nxitje për politikën e vendit, që të përmbush obligimin e saj të marrë nga propozimi francez, të zbatojë ndryshimet kushtetuese dhe të përfshijë bullgarët etnik aty. Është edhe një përpjekje e Bashkimit Evropian që të bindë politikanët e vendit, që të bindë deputetët në Parlament që me shumicë të nevojshme prej 2/3 e votave të kalojnë këto ndryshime dhe të hapin rrugën e sigurt drejt integrimit në BE.”, tha për TVM2, analisti politik, Xhelal Neziri.

Pas agresionit rus, zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor nuk është më vetëm politikë e Unionit, por edhe imperativ gjeostrategjik dhe gjeopolitik, shton Neziri, andaj vendi kësaj radhe duhet të tregohet vigjilent dhe me vetëdije të mos i vendos embargo vetes, sqaron njohësi i fushës.

“Mendoj se do të bëhen përpjekje që deri në fund të vitit këto ndryshime të kalojnë. Për këtë është e vetëdijshme edhe opozita, për momentin, për rreziqet që mund t’i sjellë mungesa e zbatimit të propozimit francez dhe nuk besoj se do të jetë e gatshme t’i bartë të gjitha ato pasoja. Andaj jam i bindur se VMRO-DPMNE-ja edhe pse kundërshton, besoj se nuk do t’i bllokojë apo do të gjejë mënyra për miratimin e tyre.”, tha Neziri.

Nëse deri në fund të vitit nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese, Neziri e sheh të nevojshme vullnetin e mirë nga Bullgaria dhe BE-ja që t’i shtyjnë afatet deri në fillim të vitit të ardhshëm apo formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024.