-0.2 C
Skopje

Vizitat e shpeshta të emisarëve, analistët e vlerësojnë si përshpejtim të dialogut

Ardhja
në Kosovë e emisarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun
Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga dy këshilltarë të sapoemëruar,
njëri nga Gjermania dhe tjetri nga Franca, nga analistët po shihet si shtytje e
re në dialogun Kosovë – Serbi, raporton Ekonomia Online.

Krahas
kësaj, njohësit e çështjeve politike, e vlerësojnë si angazhim të shtuar
diplomatik të evropianëve dhe amerikanëve për intensifikim dhe përmbyllje të
dialogut.

Analisti
politik, Fidan Ukaj, thotë për Ekonomia Online, se emërimi i këshilltarëve të
lartë nga Gjermania dhe Franca jep shenja se këto dy vende duan t’i japin
impulse të reja dialogut.

Angazhimin
e tyre, Ukaj nuk e sheh si presion, por si kërkesë të fundit që ky dialog të
përfundojë me njohje reciproke.

“Siç
duket tashmë dialogu Kosovë-Serbi ka marrë një dinamikë të re dhe pos emisarëve
Lajçak dhe Escobar, tashmë kemi të angazhuar edhe dy këshilltarë personal të
zotëri Shqolz dhe Macron, dhe këta dy do të bashkohen me ekipin e emisarit
Lajçak më 9 shtator, dhe kjo e dëshmon dinamikën e re që do të jetë në dialog,
që do ta ketë marrëveshjen përfundimtare me njohjen në qendër, që do t’i hapte
rrugë integrimit për në Bashkimin Evropian të Kosovës dhe Serbisë”, tha Ukaj.

“Po
në bazë të dinamikës që po shihet në terren, tregon më së miri se marrëveshja
është afër dhe përpjekjet maksimale që kjo marrëveshje të arrihet brenda këtij
viti dhe të përfundojë saga e këtyre bisedimeve për më shumë se një dekadë. Po
me këtë dinamikë të shtuar dhe dakordsimet e marrëveshjeve të fundit, unë besoj
se do të ketë një marrëveshje finale dhe do të përfundojë ky proces i dialogut”.

E
analistja Magbule Shkodra, thotë se emërimi i këshilltarëve të lartë nga
Gjermania dhe Franca jep shenja se këto dy vende duan t’i japin impulse të reja
dialogut.

“Rëndësia
është e madhe, me këtë në fakt gjermania dhe Franca po tregojnë seriozitetin e
tyre për t’u marrë me dialogun dhe jo vetëm me kaq, dhe unë mendoj që angazhimi
i dy këshilltarëve të jashtëm nga Macron dhe Shqolc, tregon se ata janë të
interesuar që të përfundojë marrëveshja finale, dhe të saktësohen detajet e
saj. Këta dy këshilltarë në mënyrë direkte do t’i informojnë Shqolz dhe
Macronin për ecurinë dhe propozimet”, u shpreh Shkodra.

Ish-zëvendësministrja
emërimin e dy këshilltarëve nuk e sheh si presion ndërkombëtar por interesim.

Madje
sipas saj, administrata amerikane ka folur për urgjencën e këtij dialogut,
sidomos në kontekst të zhvillimeve të këtyre gjashtë muajve në Evropë, mbas
agresionit rus kundër Ukrainës.

“Unë
nuk do ta quaja presion, unë do të thosha një interesim shumë më serioz për
shkak të rrethanave gjeopolitike të krijuara me luftën në Ukrainë, pastaj kriza
ekonomike dhe energjetike, të gjitha këto po ndikojnë që në mënyrë serioze t’i
qasen problemit. Nuk do të ishte në interesin e askujt që në ndonjë mënyrë të
ndodh ndonjë lloj konflikti në Ballkan, dhe kjo tregon seriozitetin e tyre se
më të vërtetë është koha që të zgjidhet edhe kjo çështje ndërmjet Kosovës dhe
Serbisë”, u shpreh Shkodra.

Jens
Plettner dhe Emmanuel Beaune, dy këshilltarët e emëruar nga Gjermania dhe
Franca për dialogun Kosovë-Serbi, do të qëndrojnë për vizitë të premten në Kosovë.

Plettner
dhe Beaune së bashku me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për
dialogun, Miroslav Lajçak do të vijnë në Kosovë për të diskutuar për hapat e
mëtejmë në kuadër të dialogut.