Lojë pa fund, blof, apo një ofertë reale nga Kovaçevski për VMRO-në për ta bërë të votojë ndryshimet kushtetuese. Pas BDI-së, që ka shprehur gatishmëri për t’i djegur pozicionet e veta në ekzekutiv për hir të ndryshimeve kushtetuese dhe Alencës për Shqiptarët, ja, tash edhe kryeministri Kovaçevski i ofron partisë opozitare që ta realizojë synimin për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, gjë të cilën e kërkon me ngulm lideri i opozitës, duke ia ofruar dorëheqjen pasi të votohen ndryshimet kushtetuese.
“Unë shumë qartë tregova. Ditën, edhe këtë e thashë qartë në konferencë për media, kur do të votohen ndryshimet kushtetuese, unë do të japë dorëheqje dhe do të shkojmë në zgjedhje”, është porosia konkrete e kryeministri, i cili sot gjendet në takimin joformal, ku në mbrëmje do të takohet edhe me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula Fon der Lajen, me të cilën do të bisedojë edhe për këtë çështje.
Duket se për VMRO-në “dorëheqja e Kovaçevskit” është një shprehje dobësie, pasi ndërprerjen ose mosvazhdimin e Mbledhjes së Kuvendit, e marrin si shenjë se partitë në pushtet nuk i kanë me vete as të gjithë deputetët e tyre. Në këtë temë mund të deklarojë kush çka të dojë, ose t’i përsërisë gjërat si pllakë e prishur e gramofonëve të dikurshëm, por dorëheqja e ofruar nga Kovaçevski, e më parë edhe nga BDI-ja e ASH-ja, janë diçka konkrete dhe lehtësisht e “verifikueshme”.
Nëse VMRO-ja dhe Mickovski mendon se aq lehtë do të fitojë në zgjedhjet e parakohshme, partitë në pushtet këtë ia mundësojnë me “lojën” e tyre. Ky ka qenë një kusht që vetë e ka vënë VMRO-ja.
Nëse kjo ka qenë lojë për t’i testuar ato, mund të thuhet se ia ka arritur qëllimit, pasi i ka detyruar që ta pranojnë kushtin, shtrohet pyetja, çka do më tepër Mickoski?
Pas pranimit të këtij kushti, mbetet të testohet serioziteti i VMRO-së, sepse nuk mund të luash pa fund edhe kur bën lojëra, sepse ato dalin në shesh. Ndryshimi orë e çast i fjalëve, është një dinamikë e tepruar edhe për publikun, i cili di të gjykojë se kush është konsekuent e kush jo.
A ka mbetur më alibi për VMRO-në për të mos votuar ndryshimet kushtetuese? Mendojmë se jo./indeks.mk