12/07/2024

Dy dekada implementim (shumë nga pikat e marrëveshjes i kanë thyer afatet e parapara), kanë qenë periudhë e thyerjes së barrierave psikologjike dhe “adaptim” shoqëror (!), që për një pjesë të mirë të qytetarëve dhe, sidomos, për subjektet politike ka qenë tejet frustrues, për çka disa qarqe maqedonase kanë vazhduar ta trajtojnë si humbje edhe ushtarake edhe politike përderisa ishin të detyruar të nënshkruajnë një marrëveshje nën presion.

Vërtet, Maqedonia ishte humbëse, por jo vetëm në konfliktin, por më tepër në politikat e gabuara që e sollën 2001-shin…, janë fjalë të një analisti.

Duke u marrë me shumë aspekte, është për të rikujtuar edhe situatën dramatike të fillimit të implementimit të kësaj marrëveshje, kur ndodhi një “rebelim” i deputetëve të kësaj partie, të cilat nuk e respektuan nënshkrimin e liderit të tyre!

E vërteta është se deputetët e VMRO-së nuk donin t’i votojnë ndryshimet kushtetuese pa u ndërruar terminologjia për pozotën e Kishës Ortodokse Maqedonase (“më e barbartë” se të tjerat) dhe te çështjet e emërtimit të bashkësive etnike. Për shkak të presioneve që u ushtruan atëherë ndaj dy liderëve të partive shqiptare parlamentare, Imer Imeri dhe Arbër Xhaferi, u pranuan kërkesat e VMRO-së!

“E kemi nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit, do ta respektojmë atë, do t’i përmbushim detyrimet që dalin prej saj, por mos prisni që të ngazëllehemi me të!” Kështu përafërsisht është shprehur trashëgimtari i Georgievskit, në krye të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Pikërisht Gruevskit i kishte rënë hise që të jetësojë si kryeminsitër pjesë të oboligimeve të mbetura nga Marrëveshja në vitet e qeverisjes së tij, ndonëse gjithkush e di se sa e ka bërë në mënyrë të pavullnetshme këtë gjë. Ajo që dihet katërcipërisht, është se në kohën e miratimit të ligjit për decentralizim, VMRO-ja me presione politike gjer te presionet e rrugës permes protestave, u përpoq ta pengojë atë që ishte pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, ishte kundër themelimit të një “komune shqiptare”, në Shkup, ishte kundër shqipes në Qytetit të Shkupt, komunave të Strugës dhe Kërçovës me shumicë shqiptare. Kjo parti me Greuvskin në krye, në vitin 2004 imponoi një referendum për hartën e re territoriale të pushtetit local, ku për fat dështoi, por presionet e saj çuan deri në rrezikim fizik të kryeminsitrit të atëhershëm Vllado Buçkovski(rasti në Strugë).

Ky përvjetor është rast i mirë për të kujtuar kush si është sjellë ndaj Marrëveshjes së Ohrit, pikërisht për të mos krijuar mjegullnaja të reja. Edhe kundrejt saj, por dhe kundrejt disa projekteve madhore në interes shtetëror,VMRO-DPMNE-ja vazhdimisht u ka ikur përgjegjësive ose obligimeve. Jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit më shumë e kanë pasur barrë LSDM-ja dhe BDI-ja, sikundër edhe barrën e Marrëveshjes së Prespës ose tash të fqinjësisë së mire. VMRO-ja vazhdon me floskula të zbrazëta dhe retorikë pseudopatriotike dhe fshihet shpesh në hijen opozitare, duke ua lënë të tjerëve t’I përfundojnë proceset.