02/10/2024

Një rreshter i policisë së Republikës së Kosovës është vrarë dhe një tjetër është plagosur pas një sulmi në fshatin Banjskë në Veri të Kosovës.

Këtë lajm kreu i BDI-së, Ali Ahmeti e ka cilësuar si sulm vrastar ndaj shtetit të Kosovës dhe policisë.

Sipas tij, ky veprim është sulm ndaj paqes, stabilitetit dhe sigurisë së gjithë rajonit.

“Dënoj në formën më të ashpër sulmin ndaj policisë së Kosovës dhe vrasjen e efektivit si dhe plagosjen e të tjerëve në mëngjesin e sotëm në veri të Kosovës. Ky provokim i rëndë është i qëllimshëm me agjendë të paracaktuar, andaj dhe duhet menaxhuar me gjakftohtësi dhe mençuri për arsye se pasojat mund të janë rajonale mbi paqen dhe stabilitetin. Këto zhvillime janë të papranueshme dhe koordinimi dhe bashkëpunimi me komunitetin ndërkombëtar, garantues i paqes dhe pavarësisë së Kosovës, është i domosdoshëm dhe urgjent. Nevojitet veprim i menjëhershëm për shuarjen e zjarrit vrastar dhe ndjellakeqës që synon zgjërimin dhe përfshirjen e vendit dhe rajonit. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës dhe shërim të shpejtë të të plagosurve”, ka shkruar Ahmeti.