0.8 C
Skopje

William dhe Kate, Princi dhe Princesha e Uellsit, çifti i preferuar britanik

Një çift joshës, simbol i një monarkie të modernizuar. William dhe Kate u emëruan “Princi dhe Princesha e Uellsit” nga mbreti i ri i Britanisë Charles III. Çifti, i cili ka tre fëmijë, deri më tani mbanin titujt “Duka dhe Dukesha e Kembrixhit”.

Titulli i Princit të Uellsit i ka takuar deri më sot Charles, i cili pasoi nënën e tij, Elizabeth II, në fronin britanik. Titulli i Princeshës së Uellsit është lidhur me të ndjerën Diana, e cila u vra në një aksident automobilistik në Paris në vitin 1997. Camilla, gruaja e dytë e Charles, nuk e përdori kurrë këtë titull, përcjell abcnews.al.

Çifti është jashtëzakonisht i njohur, teksa kanë një llogari në Instagram me 14 milionë ndjekës. Zakonisht përmban fotografi të një familjeje në dukje perfekte, me foto ku luajnë tre fëmijët, George, 9, Charlotte, 7 dhe Louis, 4, fytyrat e të cilëve gjatë festimeve të jubileut të Mbretëreshës Elizabeth II qershorin e kaluar, emocionuan fotografët.

William dhe Kate, të dy 40 vjeç, kohët e fundit u transferuan në Ëindsor, ku Mbretëresha ka kaluar shumicën e kohës që nga shpërthimi i pandemisë Covid-19.

Të mërkurën e kaluar ata postuan një video të shkurtër të fëmijëve të tyre teksa mbërrinin në shkollën private. Të pranishëm ishin vetëm dy videografë/fotografë pasi prindërit përpiqen t’u japin fëmijëve një jetë sa më normale.

Me kalimin e viteve, çifti ka “vjedhur” zemrat e britanikëve, duke paraqitur një imazh të lumturisë familjare, në ndryshim nga fëmijëria e trazuar e Williamit.

Çifti është fotografuar shpesh i përqafuar në pritje apo evente me personazhe të famshëm, siç është premiera e serisë së re të filmave të James Bond. “Kate ka qenë një ikonë e modës për një kohë të gjatë”, thekson Richard Fitzwilliams, konsulent i marrëdhënieve me publikun me përvojë në çështjet që kanë të bëjnë me familjen mbretërore britanike.

Princesha e re e Uellsit ka një pasion fotografinë dhe shpesh ushqen llogarinë e çiftit në Instagram me poza të fëmijëve, si George mbi bar, Charlotte që shpërndan ushqim apo vizatimin më të ri të Louis.

Në këtë mënyrë plotësohet pjesërisht etja e tabloideve britanike për foto të familjes, e cila duket se është qetësuar nga paparacët që e kanë ndjekur Dianën deri në vdekje.

Sipas një sondazhi të fundit nga instituti YouGov, Kate është anëtarja më e njohur e familjes mbretërore, ndërsa popullariteti i William është shumë më i lartë se ai i babait të tij.

“Unë mendoj se William dhe Kate janë, në shumë mënyra, imazhi pasqyrë i mbretëreshës Elizabeth dhe burrit të saj”, shpjegon gazetari Robert Johnson për AFP, i cili beson se mbretërimi i Charles III do të shihet si një periudhë kalimtare deri në pranimin e William në fron.