05/10/2024

Talat Xhaferri u emërua ditën e djeshme kryeministër i Maqedonisë së Veriut me 65 vota pro nga parlamenti.

Ai do të drejtojë vendin deri në zgjedhjet e parakohshme, duke u bërë kështu kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Për të folur në lidhje me këtë temë, në emisnionin “7pa5” në Vizion Plus ishte i ftuar analisti Albert Musliu.

Ai tha se Xhaferri do të ketë të gjitha kompetencat që kishte edhe kryeministri i kaluar dhe me qeverinë e tij do të mundësojë parakushtet që zgjedhjet të bëhen në mënyrë demokratike.

“Është një moment që do të mbahet mend dhe hap një kapitull të ri për ne. Shqiptarët udhëheqin dikasteret më të rëndësihme, ministria e Financave, ministria e Jashtme etj”, tha Musliu, duke shtuar se mandati i Xhaferrit do të jetë deri në momentin kur të zgjidhet qeveria e re.

“Për shqiptarët e rinj është një impuls që të angazhohen me shumë në politikbërje është dhe një mesazh për maqedonasit, që Talat Xhaferri do ta bëjë punën më mirë. Kemi situatën ku një shqiptar do ta udhëheq qeverinë, sot bëhet pranim dorëzimi me kryeministrin dhe ajo derë e fundit e qeverisjes në Maqedoni hapet dhe për shqiptarët”, tha Musliu.

Analisti vuri në dukje se më e rëndësishme në zgjedhjen e Xhaferrit është ana morale për shqiptarët. Ai tha se ky është një hap inkurajues, që do të shtyjë më shumë të rinj shqiptarë në Maqedoninë e Veriut që të bëhen pjesë e politkës.

“Unë mendoj se aspekti moral është ai më i madhi. Aspekti moral dhe inkurajues për shqiptarët është ai më i madhi. Për mua si qytetar shqiptar vlera morale është ajo më e madhja. Ka pasur një tendcencë të prezantohen shqiptarët si mysafirë në Maqedoni. Ky është shqiptar që vjen nga një parti politike shqiptare, me elektorat shqiptar, është zgjedhur përmes përfaqësuesve të tij”, tha Musliu.

Ai shtoi se tashmë Maqedonia ka hyrë në një fazë të bashkëqeverisjes dhe shqiptarët janë bërë një faktor i paanshkalueshëm.

“Mendoj se Maqedonia ka hyrë në fazë të bashkëqeverisjes. Shqiptarët janë faktor i paanashkalueshëm, ajo pozitë do të forcohet sa kalon koha. Do të arrijmë edhe në një fazë që edhe kryetari që zgjidhet në zgjedhjet e drejtëpërdrejta do të jetë shqiptar. Kjo u ndihmon edhe maqedonasve. Kur kemi kandidatë të mirë stereotipet kalohen shumë më shpejt”, deklaroi Musliu.