Rumania e mbështet rrugën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por është e rëndësishme të bëhen edhe reformat e nevojshme, theksoi ministrja rumune e Punëve të Jashtme Luminica Odobesku në takimin e sotëm me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi.
Odobesku, e cila është për vizitë pune në shtet, theksoi se reformat kanë qenë sfidë edhe në shumicën e vendeve anëtare të Unionit, përfshirë edhe Rumaninë.
“Sugjeroi për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit bilateral të dy vendeve me intensitet të njëjtë dhe për thellimin e bashkëpunimit në aspektin ekonomik. Ministrja Odobesku vuri theks mbi mbështetjen e ndërsjellë të vendeve të Ballkanit Lindor dhe Perëndimor në raport me zgjerimin a u ndal edhe në ngjarjet e fundit të sigurisë në botë, siç është lufta në Ukrainë dhe situata në Rripin e Gazës”, njoftojnë nga Kuvendi.
Kryetari i Xhaferi shprehu kënaqësi të veçantë për këtë mundësi për takim me një përfaqësues të Rumanisë, shtet me të cilin në vazhdimësi ndërtojmë marrëdhënie bilaterale miqësore.
“Kryetari Xhaferi theksoi se marrëdhëniet e përgjithshme mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë karakterizohen me një shkallë të lartë të miqësisë, me dialog politik konstruktiv dhe të hapur, të bazuar mbi marrëdhënie partneriale dhe respekt të ndërsjellë. Në drejtim të procesit të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian, ai informoi se është në rrjedhë përfundimi i fazës së skriningut dhe se ka filluar procedura parlamentare për ndryshimin e Kushtetutës së vendit për çka nevojitet të sigurohet shumicë e dy të tretave për votim”, kumtojnë nga Kuvendi.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se intensifikimi i bashkëpunimit parlamentar me fokus në bashkëpunimin në drejtim të çështjeve evropiane është shumë i rëndësishëm.