12/10/2024

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot u takua me ambasadoren e Konfederatës së Zvicrës në vend, Veronik Ulman Marti.

Në takim, Kryeministri dhe ambasadorja e konfirmuan përkushtimin e dy vendeve për bashkëpunim, respekt të ndërsjellë dhe miqësi mes dy shteteve dhe shprehën kënaqësinë për jubileun 30-vjetor të marrëdhënieve diplomatike, që shënohet pikërisht këtë vit. “Në 30 vitet e kaluara kemi vendosur dhe zhvilluar bashkëpunim të shkëlqyeshëm në të gjitha nivelet – Qeveri, Kuvend dhe qytetarë, dhe komuniteti ynë i shumtë që jeton në Zvicër është një urë e fuqishme lidhëse mes dy vendeve”, theksoi Kryeministri Xhaferi.

Më tej, ai theksoi se Maqedonia e Veriut e vlerëson lartë gatishmërinë e Konfederatës Zvicerane për zhvillimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të shfaqur në Strategjinë për mbështetje. Si donatori më i madh dypalësh për vendin tonë që nga pavarësia e deri sot, mbështetja dhe ndihma zhvillimore e Zvicrës për Maqedoninë e Veriut e ndihmon jo vetëm zhvillimin demokratik të vendit, por është edhe plotësuese e integrimit evropian.

Ambasadorja Ulman e uroi Kryeministrin Xhaferi për zgjedhjen e tij, duke theksuar se Maqedonia e Veriut edhe një herë tregoi se është shembull i suksesshëm i një demokracie funksionale multietnike dhe se vendos standarde që duhet të ndiqen nga vendet tjera të rajonit dhe botës.

Duke e përshëndetur përvjetorin e 30 viteve të marrëdhënieve diplomatike, Ulman shprehu kënaqësinë që të dyja vendet kanë arritur shumë rezultate gjatë asaj periudhe dhe mund të krenohen me sukseset.

Në takim u diskutua për çështje aktuale nga situata e brendshme politike në Maqedoninë e Veriut dhe mbajtja e zgjedhjeve të ardhshme.