Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri në një
intervistë për Ekonomia Online foli për krizën energjetike, duke shtuar se
është një problem evropian dhe nuk mund të krijohen mrekulli.
Mes tjerash, ai tha se furnizimi me energji elektrike është sfidë e
jashtëzakonshme jo vetëm gjatë muajve të verës por edhe dimrit, sepse kursimi i
energjisë bëhet i pamundur veçanërisht kur ka temperatura të ulëta.
Sipas tij, Qeveria duhet ta marrë më seriozisht këtë gjë dhe të krijojë më
shumë mundësi të subvencionimit të energjisë elektrike.
“Tash kjo kriza energjetike është një problem evropian. Mendoj që në
këtë fazë që jemi është vështirë të krijohen mrekulli. Qeveria mund të bëjë më
shumë. Të jetë më aktive në sanimin e problemeve sepse Qeveria po reagon me
vonesë. Aktualisht jemi në situatë ku janë paralajmëruar që do të ketë
reduktime dhe në anën tjetër Qeveria që flet më shumë për vjedhje që bëhen në
sistemin e sanimit të cilat janë problem”.
“Furnizimi me energji elektrikë po del të jetë sfidë e jashtëzakonshme jo
vetëm gjatë muajve të verës, por edhe dimrit dhe kursimi i energjisë bëhet i
pamundur veçanërisht kur kemi temperatura të ulëta duke marrë parasysh se shumica
e njerëzve në Kosovë e përdorin energjinë elektrike për ngrohje. Kërkesa për ta
zëvendësuar këtë burim të ngrohje me diçka tjetër është kërkesë e mirë po të
ishte afatgjate”.
“Qeveria duhet ta marrë më seriozisht këtë gjë dhe të krijojë më shumë
mundësi të subvencionim të energjisë elektrike që të sigurojë furnizim të
rregullt dhe çmimet për energji të mos rriten dhe të mos bëhen të
papërballueshme për qytetarë gjatë dimrit”, tha Ymeri.
Ai vlerëson se po të mos ishte NATO në Kosovë, siguria në Ballkan do
të ishte më e brishtë.
Tutje, ai tha se Qeveria në Kosovë
duhet të investojë në përfundimin e dialogut e jo në një diskurs që flet për
pasiguri, raporton EO.
“Mendoj që siguria në Ballkan natyrisht që do të kishte me qenë shumë
më e brishtë po të mos ishte NATO. Qëllimi i Kurtit që Serbia të paraqitet si
luftë nxitësja që po i bëhet dëm Kosovës”.
“Edhe Qeveria në serbi dhe presidenti i Serbisë duhet ta ketë një qasje ndryshe karshi çështjes së paqes rajonale veçanërisht marrëdhënieve me Kosovën. Por Qeveria në Kosovë duhet të investojë në përfundimin e dialogut sesa të investojë në një diskurs që flet për pasiguri”. .