Redaktori i portalit Flaka, Driton Zenku, mendon se me kandidimin e Bujar Osmanit, Bashkimi Demokratik për Integrim ka shpalosur edhe një strategji për të siguruar postet kryesore për kuadrot shqiptare, siç ka bërë dhe me kryeministrin dhe ministrat.
“Të ishte vetëm një kandidaturë e rëndomtë pa dimensionin e mënyrës së arritjes së qëllimit, kanidatura e BDI-së do të ishte thjesht një kundërpërgjigje ndaj rivalëve politikë. Prezantimi i doktrinës se si të vihet deri tek presidenti shqiptar, i jep peshë edhe kandidaturës. BDI në programin e vet ka pasur të shënuar edhe synimin e marrjes së posteve kryesore nga kuadro shqiptare, siç ishte rasti me kryeministrin e parë shqiptar, ministrin e mbrojtjes, ministrin e punëve të jashtme, atë të financave, e tjerë. Ka qenë diçka e shkruar më herët që është vlerësuar që tash është koha për ta materializuar. “, tha Zenku.
Ai gjithashtu theksoi se BDI-ja në këtë garë nëpërmjet një marrëveshjeje politike mund t’i realizojë edhe ndryshimet kushtetuese.
“Proceset politike marrin kohë dhe kërkojnë momentin e duhur. Premtimi i BDI-së do të mund të përshpejtohet nëse në raundin e dytë nuk arrihet censusi prej 40% të trupit votues. Kjo mund të arrihet nëse BDI bojkoton zgjedhjet presidenciale të rrethit të dytë. Me këtë, mund të kemi krizë të institucionit president dhe me një gjendje të tillë do të mund të vihej në agjendë për të tejkaluar ngërçin politik. Duke e ditur që Kushtetuta duhet të hapet për shkak të konstetit me Bullgarinë, e mundur është që me një marrëveshje politike të kryhen ndryshimet kushtetuese edhe sa i përket zgjedhjes së presidentit”, tha Zenku
Sa i përket idesë së BDI-së që zgjedhjen e presidentit ta bëjë përmes Kuvendit, si dhe për gatishmërinë e shoqërisë për të pranuar një president shqiptar, Zenku tha se nuk është mision i pamundur, ashtu siç kemi kryeministrin e parë shqiptar. Ai tha se shoqëria me kalimin e kohës do të mund të adaptohet me rrethanat, si dhe sipas tij, formula e Badenterit do të hapë rrugën që të kemi një president shqiptar.
“Nëse sot kemi një kryeministër shqiptar, i cili për nga kompetencat është shumë më i shtrirë se sa detyra e presidentit, nuk është aspak mision i pamundur. Shoqëria me kalimin e kohës evoluon dhe adaptohet në rrethanat e rreja. Kur Talat Xhaferi u zgjodh ministër i mbrojtjes, LSDM organizonte protesta. Kur Talat Xhaferi u zgjodh kryeparlamentar në mandatin e parë, VMRO-DPMNE shkaktoi trazira në Kuvend. Në mandatin e dytë, nuk pati problem që Talat Xhaferi u rizgjodh për kryetar kuvendi. Problem nuk pati edh kur u zgjedh kryeministër. Edhe presidenti i shtetit, me një marrëveshje politike dhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese, do të mund të zgjidhet një shqiptar. Formula e Badenterit, nëse do të inkoorporohet në kushtetutë, hap rrugën që nesër të kemi edhe një president shqiptar”, tha Zenku (politiko.mk)